
Gjermania po përgatitet për skenarë të mundshëm të një konflikti të madh, ndërsa shefi i ushtrisë, gjenerali Carsten Breuer, ka paralajmëruar se mbrojtja e vendit nuk mund të mbështetet vetëm te ushtria dhe blerja e armëve.
Duke folur në Samitin e Mbrojtjes të IISS në Pragë, Breuer tha se përgatitjet duhet të përfshijnë të gjithë shoqërinë, nga industria dhe infrastruktura deri te institucionet civile dhe qytetarët.
Një pjesë të fjalimit ai ia kushtoi ndryshimit të shpejtë të teknologjisë dhe mënyrës së zhvillimit të luftës. Sipas tij, ushtritë perëndimore duhet të mësojnë nga përvoja e luftës në Ukrainë, ndërsa duhet të llogarisin se edhe Rusia po përshtatet dhe po zhvillon mënyra për të anashkaluar avantazhet e tyre.
“Rusia mëson. Ata imitojnë dhe përshtaten”, deklaroi Breuer, duke theksuar se epërsia teknologjike nuk është e përhershme.
Gjermania ka ndryshuar ndjeshëm politikën e saj të mbrojtjes pas pushtimit rus të Ukrainës. Në strategjinë e saj të re ushtarake, Rusia përshkruhet si kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane, ndërsa Berlini synon të rrisë numrin e ushtarëve aktivë dhe rezervistëve dhe të forcojë kapacitetet ushtarake.
Breuer ka paralajmëruar se Rusia mund të krijojë deri në vitin 2029 kapacitetet për një sulm të madh konvencional ndaj territorit të NATO-s. Ai ka sqaruar se ky është një vlerësim mbi kapacitetet e mundshme ushtarake të Moskës dhe jo një parashikim se një sulm do të ndodhë.
Në rast të një konflikti të madh, Gjermania planifikon të shërbejë si një bazë kryesore logjistike për NATO-n. Sipas planit “Operationsplan Deutschland”, në një periudhë gjashtëmujore mund të transportohen përmes territorit gjerman deri në 800 mijë trupa aleate dhe 200 mijë automjete drejt krahut lindor të NATO-s.
Për këtë arsye, sipas ushtrisë gjermane, përgatitjet kërkojnë bashkëpunimin e institucioneve civile, kompanive private dhe infrastrukturës së vendit.
