Sherri me biznesmenëve ka nisur për çështje pronësie, duke degjeneruar në përdorimin e armëve…
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, pasi një konflikt pronësie ka përplasur biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Bujar Muça.
Mësohet se prej disa kohësh ka pasur mosmarrëveshje mes tyre mbi një tokë në zonën e Orikumit, por sot koflikti ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve. Biznesmeni Bujar Muça bashkë me disa persona të tjerë kanë shkuar te hoteli i Bedinajt, ku pas debateve ka pasur përplasje fizike dhe të shtëna me armë zjarri.
Pas incidentit, personat e përfshirë janë larguar nga hoteli, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur ndjekjen e tyre.
Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë përfshirë në një aksident në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. Mësohet se i plagosur ka mbetur edhe Bujar Muça.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.
Dy personat e aksidentuar janë arrestuar dhe janë nga Tirana. Ndërkohë, policia ka shtrirë kontrollet në disa zona të Vlorës, në përpjekje për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Deri më tani, rreth 10 persona janë shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërsa vijojnë hetimet për të dokumentuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të sqaruar rrethanat që çuan në përplasjen në hotel.
Informacionet mbeten paraprake dhe pritet që policia të japë më shumë detaje në vijim.

