Nuk është 1 qershori data kur implementohet marrëveshja për njohjen e pensioneve italo-shqiptare, por një muaj më vonë, data 1 korrik.
Përfaqësuesja e zyrës UIM Albania, Tresjana Elmazi, e cila ofron në Shqipëri shërbimet e Patronatit italian sqaron se një gjë e tillë sanksionohet në marrëveshjen e ratifikuar në parlamentet respektive të të dyja vendeve, e cila nuk cakton datë, por një afat.
“Në bazë të nenit 31 të aktit të marrëveshjes parashikohet që marrëveshja hyn në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë nga momenti i shkëmbimit të akteve. Duke qenë se aktet u shkëmbyen nga mesi i majit, data përkon me 1 korrikun”. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe në pritje qytetarët që kanë vite pune midis Shqipërisë dhe Italisë mund të bëjnë gati dokumentacionin për të aplikuar për pension në të dyja vendet. Në një intervistë për gazetën, Elmazi apelon të interesuarit të paraqiten pranë zyrave UIM Albania të patronatit italian për të krijuar një panoramë të situatës së tyre mbi sigurimet.
“Çdokush i interesuar për të përfituar nga kjo marrëveshje mund të krijojë paraprakisht një panoramë të situatës së vet, për të kuptuar nëse i plotëson kushtet që kërkohen për zbatimin e saj. Për këtë nuk është nevoja të pritet data 1 korrik, pranë zyrës sonë të UIM Albania kanë nisur tashmë të paraqiten qytetarë të ndryshëm, që duan të dinë me saktësi sa vite kontribute u njihen aktualisht nga shteti shqiptar dhe sa nga shteti italian. Ky është një shërbim që UIM Albania e kryen falë bashkëpunimit dhe aksesit që ka në sistemin italian INPS si dhe bashkëpunimit me ISSH-në në Shqipëri. Në momentin që krijohet panorama e plotë e kontributeve për qytetarin e interesuar dhe evidentohet plotësimi i kushteve, atëherë jemi gati të paraqesim kërkesën e tij për të përfituar pensionin. Për t’i ndihmuar pensionistët kemi hapur sportele edhe në Durrës, Vlorë dhe Shkodër, përveç zyrës së Tiranës. Vlen për t’u theksuar se këtë shërbim e ofrojmë pa kosto për qytetarin, pasi organizata jonë financohet nga Ministria e Punës italiane pikërisht për dhënien e një shërbimi publik si ky që ofrojmë”, – nënvizon Elmazi.
Nga nënshkrimi tek implementimi i marrëveshjes për njohjen e pensioneve italoshqiptare ka kaluar thuajse një vit e gjysmë, pa llogaritur kalvarin e gjatë shumëvjeçar të përpjekjeve të të gjitha qeverive në pushtet për të marrë dakordësinë e palës italiane për njohjen e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore. Vitin e kaluar në shkurt u nënshkrua marrëveshja midis ministrave Tajani e Hasani, ndërsa u desh një kohë e gjatë për ratifikimin në parlament e botimin në Fletoret Zyrtare. Në muajin mars të këtij viti, kjo marrëveshje ligjore hyri në fuqi edhe në Fletoren Zyrtare të Italisë (tek ne shumë më parë) teksa firmosja ishte bërë më 6 shkurt nga palët respektive. Marrëveshja garanton të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri, nga e cila përfitojnë rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë. Më herët, Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të zbatimit të marrëveshjes.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali duhet ende të presin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë e pensioneve. Me gjithë “dokumentin final të Procesit Ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes” që Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, solli në takimin e Samitit të VI të Komunitetit Politik të Evropës në Tiranë, zbatimi i saj kërkon ende pak kohë. Kjo do të thotë se 1 qershori që Kryeministri Edi Rama njoftoi si datën e nisjes së zbatimit të marrëveshjes nuk mund të realizohet.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, ka sqaruar në një intervistë për mediat se nga data e shkëmbimit të akteve duket të kalojnë dy muaj që marrëveshja të bëhet e zbatueshme. Pra, njohja e ndërsjellë e pensioneve do të ndodhë në muajin korrik. Në dokumentin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë vlerësohet se nga marrëveshja do të mund të përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë dhe 4 mijë italianë.
Nga marrëveshja nuk do të përfitojnë jo vetëm përfituesit e pensionit të pleqërisë, por edhe ata invaliditetit. Gjithashtu do t’u njohën vitet e punës edhe invalidëve apo atyre që kanë marrë leje si pasojë e sëmundjeve apo lindjeve. Për të bërë të zbatueshme njohjen e pensioneve me Shqipërinë, Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për ta deri në vitin 2032. Buxheti i dedikuar nis me 7.6 milionë euro për vitin e parë të aplikimit dhe mbyllet me 20.3 milionë në fund të këtij planifikimi buxhetor. Bashkë me Italinë, Greqia është shteti tjetër me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, mbi 670 mijë të tillë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Gjermania./Gazeta Panorama do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE