LAJME / E Martë 2 Korrik 2024, 21:09

Një person po lëviz me thikë rrugëve të Tiranës, ka qëlluar dy kalimtarë deri tani

Një person, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, raportohet se është duke lëvizur në rrugët e Tiranës me thikë në dorë, duke qëlluar kalimtarë të rastit.

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço thotë se ai ka arritur të plagosë dy persona deri tani, duke i qëlluar me thikë, njërin prej tyre në fytyrë, në zonën e Bulevardit të Ri.

Aktualisht nuk ka një raportim nga policia, sa i përket denoncimit të Karamuços.

“Këtë pasdite Policia e Tiranës është në alarm për ndjekjen e një personi me çrregullime mendore, i cili lëviz me thikë në dorë në zonën e Bulevardit të Ri. Deri tani ka sulmuar dy persona dhe ka plagosur në fytyrë njërin prej tyre. Mbas Vlorës dhe Durrësit, ky është rasti i tretë brenda 1 muaji që ndodh një ngjarje e tillë”, ka deklaruar Karamuço.