
Shkruar nga Pamfleti
Ndërsa qytetarët protestojnë kundër pushtetit, grupet e islamit politik po përpiqen ta kanalizojnë revoltën drejt kauzave të tyre ideologjike, larg orientimit europian që kërkojnë organizatorët.
Ashtu si Edi Rama kërkon të fshihet pas Zvërnecit dhe kauzës së investimit atje, një numër i konsiderueshëm grupesh dhe lobesh të lidhura kokë e këmbë me interesa të caktuara po përpiqen të shfrytëzojnë protestën e madhe qytetare.
Një nga këto grupe është ai i fanatikëve të Erdoganit në Shqipëri, të cilët prej kohësh financohen dhe përgatiten për të hyrë në lojë me tezën e tyre të stërkonsumuar të islamit politik neootoman.
Të përgatitur prej kohësh dhe të mbajtur në “gjumë”, ky grup duket se ka nisur të dalë nga foleja dhe të veprojë sipas planeve të hartuara, sipas të gjitha gjasave në qendra ideologjike dhe politike të neootomanizmit erdoganist.
Në rrjetet dhe mediat pranë Erdoganit, që ushqehen edhe me financime të konsiderueshme, ekziston prej kohësh një platformë me tone të forta anti-izraelite, ku Izraeli dhe hebrenjtë sulmohen vazhdimisht, me synimin për ta kthyer këtë qëndrim në një kauzë politike.
Por duket se gjërat kanë shkuar edhe më tej.
Një personazh mediatik i këtij rrethi, i cili ka qenë edhe përfaqësues i një agjencie shtetërore informative turke në Shqipëri, ka bërë thirrje publike për veprime kundër investimeve izraelite në Shqipëri.
Ai ka publikuar fotografi të një objekti, që sipas tij ndodhet në Tiranë dhe ku ruhen të dhënat digjitale të Shqipërisë. Sipas pretendimit të tij, Izraeli ka fituar kontrata për menaxhimin e këtyre të dhënave, ndaj ai ka bërë thirrje për protesta dhe aksione kundër objektit.
I pyetur për vendndodhjen e saktë, nuk ka dhënë shpjegime konkrete, duke u kufizuar vetëm me pohimin se objekti ndodhet në Kashar.
Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një përpjekje për të nxitur zemërim publik ndaj Izraelit dhe për ta kanalizuar protestën drejt një drejtimi që i shërben interesave të tjera.
Ndërkaq, portale të tjera të të njëjtit orientim kanë shfrytëzuar deklaratat e Edi Ramës në Vlorë, kur ai tha se në disa xhami sulmohet Izraeli, për të ushqyer më tej një diskurs të ngarkuar ideologjikisht.
Edi Rama mund të thotë shumë gjëra të pamenduara, por duket se këtyre grupeve u intereson të përdorin çdo deklaratë për ta kanalizuar protestën drejt kauzës së tyre.
Dhe, sipas të gjitha gjasave, për të krijuar terrenin e nevojshëm që të dalë publikisht edhe grupimi politik që përfaqëson neootomanët në Shqipëri.
Një plan që duket se është përgatitur prej kohësh dhe që tani po gjen momentin më të favorshëm për të dalë në dritë.
Megjithatë, faktorët ndërkombëtarë që kanë shprehur mirëkuptim për protestat kundër qeverisë në Tiranë po këshillojnë vazhdimisht protestuesit që të mos lejojnë kontaminimin e tyre nga virusi i islamit politik.
Kjo u vu re edhe gjatë kujdesit që organizatorët treguan në ditët e fundit për gjuhën dhe simbolikën e përdorur në daljet publike.
Po ashtu, paraqitja e ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë nuk ishte thjesht rastësore.
Ajo u perceptua si një sinjal i qartë për të treguar se kush është mbështetësi dhe orientuesi kryesor i kësaj vale protestash.
Europa duket se po bën çdo përpjekje që protesta të ruajë karakterin qytetar dhe orientimin pro-europian, pa u devijuar drejt narrativave antisemite, fanatike apo ekstremiste.
Sepse shtigje të tilla, në fund të fundit, ndihmojnë më shumë Edi Ramën sesa ata që kanë marrë përsipër të ngrihen kundër tij./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
