
Teksa vendi ynë është duke u “përvëluar”, ku termometri vetëm ditën e sotme ka kaluar 40 gradë Celsius, një tjetër vend është përballur me kushte atmosferike krejt të kundërta dhe të pazakonta për këtë periudhë të vitit.
Një stuhi e fuqishme me breshër ka goditur të premten, më 28 gusht, disa zona të kantonit të Zyrihut në Zvicër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, automjete dhe ndërtesa, ndërsa disa persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë mbetur të plagosur.
Banorët e Winterthurit dhe zonave përreth, përfshirë Ueterland, u përballën me një situatë të pazakontë, pasi breshëri i madh goditi me forcë ndërtesat dhe automjetet.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, kokrrat e breshërit në disa raste kishin përmasa të ngjashme me topat e golfit apo të tenisit. Forca e tyre ishte e tillë sa thyen xhama makinash, dritare banesash dhe çati, ndërsa u raportuan dëme edhe në objekte shkollore.
Në disa automjete, goditjet e breshërit shkaktuan dëme të rënda në karroceri dhe thyerje të xhamave. Madje, disa drejtues që ndodheshin në autostradë gjatë stuhisë u detyruan të ndalonin në korsinë e emergjencës, pasi automjetet e tyre pësuan dëmtime.
Stuhia kapi në befasi edhe nxënësit e shkollave fillore. Sipas një njoftimi të publikuar nga shkolla fillore Rychenberg në Winterthur, fëmijët u gjendën përballë motit të keq gjatë pushimit të mëngjesit. Disa prej tyre pësuan gërvishtje të lehta në kokë, si dhe mavijosje në shpatulla, shpinë, krahë dhe këmbë.
Autoritetet bënë të ditur se pati raste të lëndimeve edhe te fëmijë të tjerë në qytet, kryesisht dëmtime të lehta. Prindërit e fëmijëve të prekur u njoftuan menjëherë, ndërsa nxënësit morën kujdes nga mësuesit.
Sipas Marco Stoll nga MeteoSwiss, bëhej fjalë për një fenomen jashtëzakonisht të rrallë të motit.
Erërat e fuqishme gjatë stuhisë arritën shpejtësi nga 80 deri në 130 kilometra në orë, ndërsa vetë stuhia lëvizte me një shpejtësi prej rreth 100 kilometrash në orë.
Fenomeni ishte i shkurtër, por intensiv. Sipas banorëve, breshëri zgjati rreth pesë minuta, duke lënë pas një panoramë dëmesh në zona të ndryshme.
“Papritmas fryu një erë e fortë, gjithçka u errësua dhe më pas breshëri ra sikur të ishte derdhur”, tregoi një pronar automjeti, i cili mbeti me xhamin e pasmë të thyer. Ai tha se nuk kishte përjetuar më parë diçka të tillë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
