LAJME / E Martë 16 Janar 2024, 20:08

Ndryshon taksa e shitjes së shtëpive/ Çmimi referencë ulet me 1% për çdo vit vjetërsi

Por, Ministria e Financave në përgatitjen e zbatimit të këtij rregulli po përgatit edhe disa përjashtime. Kështu për ndërtesat e vjetra, çmimi i referencës do të zbritet me 1% për çdo vit vjetërsi.

Kjo do të thotë se një ndërtesë e vitit 2010 në kryeqytet me çmim reference 115 000 lek m2 me uljen që do t’i aplikohet do ta ketë çmimin 14% më të ulët në vlerën 98 900 lek.

“Natyrshëm që është një lehtësim për shumicën e qytetarëve dhe kjo ndikon më së shumti edhe për ata qytetarë që i kanë pronat e trashëguara apo të privatizuara që nga vendimi 92’, të cilëve nga 32% që ua zbriste nga vlera referuese e zonës tashmë ua ka çuar në 50%”, tha Eduart Gjokutaj.

Sipas ekspertëve referenca në tregun e pasurive të paluajtshme është një indikator që mund të deformojë situatën e çmimeve reale

“Po the referencë natyrshëm që vetë referenca sjell pabarazi sepse nuk afrohet me vlerën e tregut, por synon që t’i afrohet. Në një treg që do të ishte normal nuk do të kishim referenca. Në momentin që një qytetar tiranas i cili në këmbim të pronës së tij ka përfituar një ndërtim të ri natyrshëm nuk ndodhet në kushtet e pagesës pasi thjesht ka përfituar pronën, mund të jetë pensionist dhe këta trajtohen njësoj si ata individë me të ardhura të larta. Prandaj, Ministria e Financave dhe administrata tatimore mund të ndërhyjë në këtë rast dhe të detaje edhe me rrugica çmimet e referencës në zonat ku ka interes të lartë, për t’ju afruar sa më shumë çmimit të tregut”, u shpreh Gjokutaj.

Vitin e kaluar nëpërmjet një VKM-je, qeveria ndryshoi çmimet e referencës për Bashkinë Tiranë duke i rritur ato, në disa zona deri në 98%, ndërsa në udhëzimin e ri pritet të rriten dhe referencat për pasuritë e paluajtshme në bregdet.