LAJME / E Hënë 14 Tetor 2024, 17:05

Mourinho marton vajzën. Vendi i ceremonisë, cili është dhëndrri dhe të ftuarit (fotot)

Matilde, vajza e madhe e José Mourinhos, është martuar dje. Dizajnerja e bizhuterive, Matilde, ka thënë “po” në Azeitao, në vilën e madhe familjare në zonën e Setubalit. Në altar e ka shoqëruar babai i saj, tre shoqërueset e nuses dhe vëllai si kumbar.

Me këtë rast ishte planifikuar një ceremoni intime për më pak se 100 të ftuar, e shoqëruar me një festë të madhe një ditë më pas me mbi 300 persona. Megjithatë, nuk ka detaje më tepër, sepse Matilde u kufizua duke thënë: "E vetmja gjë e panegociueshme është prania e miqve dhe familjarëve. Dhe shpresoj të mos bjerë shi".

Për momentin lista e të ftuarve nuk është bërë e ditur, por duket se nuk ka pasur personalitete të lidhura me futbollin. Bashkëshorti i Matilde quhet Danny Graham dhe është partneri i saj prej 8 vitesh (përveç një pauze të shkurtër para pandemisë). Duket se shumë të ftuar kanë mbërritur në dasëm me avionë privatë dhe vila u zgjodh si vendi i ceremonisë sepse iu garantonte të gjithëve privatësi maksimale.