
Lionel Messi e ka fituar "Topin e Artë" për herë të tetë në karrierën e tij, ndërsa Cristiano Ronaldo nuk u përfshi as në 30 kandidatët finalë për çmimin prestigjioz. Ishte mbyllja e një cikli në favor të Messit, kur dy superheronjtë e futbollit modern ndanë trofe kolektivë dhe individualë. Megjithatë, argjentinasi ka tre "Top të Artë" me shumë CR7.
Menjëherë pas dhënies së çmimit për Messin, transmetuesi spanjoll AS publikoi një editorial të gazetarit Tomas Roncero në profilin e tij në Instagram. Roncero është tifoz i njohur i Real Madridit dhe, jo çuditërisht, kritik ndaj zgjedhjeve të jurisë:
“Ndodhi ajo që ne e dinim tashmë, ia dhanë Messit një tjetër ‘Top të Artë’. Ai shkoi të pensionohej në Miami, por dukej se tashmë ishte tërhequr që te PSG për t’u përgatitur për Kupën e Botës. Ka fituar Botërorin, dakord, por me 6 penallti.
Kupa e Botës ishte 10 muaj më parë, tani jemi në nëntor. Messi ka 8 ‘Topa të Artë’, dakord, por në fakt duhet të ketë 5. Ai ka ‘Topin e Artë’ të Iniesta dhe Xavi, të Lewandowski që fitoi 6 trofe në një sezon, të Haaland që ishte golashënuesi më i mirë i gjithçkaje".

Dhe si e mori gjithë këtë Cristiano Ronaldo? Ai hapi Instagramin, hasi në postimin e AS dhe videon e Roncero, ku komentoi pa fjalë, por me shumë sarkazëm, me disa "emoji" me lot në sy nga të qeshurat.
Pak orë më herët, për ironi, gjatë konferencës për shtyp, pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Messi kishte folur për Cristiano Ronaldon dhe duelin e përjetshëm që kishin mes tyre për gati dy dekada:
“Gjithmonë ka qenë një betejë e mirë sportive me të. U frymëzuam nga njëri-tjetri, sepse të dy jemi shumë konkurrues. Gjithashtu, ai gjithmonë donte të fitonte. Ishte një periudhë shumë e bukur për ne, si dhe për ata që e duan futbollin.
Ne kemi shumë merita për cfarë kemi bërë për kaq shumë kohë, sepse është e lehtë të arrish në krye, por është e vështirë të qëndrosh atje. Ne qëndruam në krye për 10 ose 15 vite, ishte diçka shumë e vështirë. Ishte spektakolare dhe një kujtim i mrekullueshëm për të gjithë ata që e duan futbollin”.
