LAJME / E Shtunë 27 Qershor 2026, 19:07

Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029, procesi i zgjerimit po ecën me hapa të shpejtë

Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria kryeson procesin, merr një shtysë të re. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se procesi i zgjerimit të unionit po përshpejtohet dhe brenda mandatit të saj, që përfundon në vitin 2029, do të ketë anëtarë të rinj.


Sipas diplomates evropiane, dinamika e zgjerimit ka ndryshuar ndjeshëm dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për vendet kandidate, ku pararojë janë Shqipëria dhe Mali i Zi.


“Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Dhe nëse Islanda i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në një referendum në muajin gusht, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria tani ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave. Pra, lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”.


Komisionerja Marta Kos i bëri deklaratat në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, të mbajtur në Gdansk të Polonisë.
Sipas Kos, dinamika e zgjerimit të Bashkimit Evropian tani është më e lartë dhe, sipas saj, komuniteti evropian do ta përshpejtojë këtë proces. Shqipëria synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. /tch, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE