LAJME / E Mërkurë 29 Korrik 2026, 21:09

Kufij të rinj shpejtësie/ Qeveria ndryshon rregullat në rrugët e Shqipërisë, kujdes shoferët …

Qeveria po përgatit një paketë të re masash për rritjen e sigurisë rrugore, e cila parashikon rishikimin e kufijve të shpejtësisë në rrjetin kombëtar dhe zgjerimin e monitorimit elektronik të drejtuesve të automjeteve përmes kamerave dhe sistemeve inteligjente të lidhura me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut.

Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të saj të veprimit, të publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas dokumentit, gjatë periudhës 2027–2029 do të vendosen kamera për matjen e shpejtësisë dhe sinjalistikë inteligjente në pika të përzgjedhura të rrjetit rrugor, me synim forcimin e kontrollit dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Sistemet e reja do të monitorojnë në kohë reale shpejtësinë e mjeteve dhe do të integrohen me qendrën kombëtare të menaxhimit të trafikut. Numri i vendndodhjeve ku do të instalohen kamerat dhe pajisjet inteligjente do të shërbejë si një nga treguesit kryesorë për zbatimin e strategjisë.

Për realizimin e këtij projekti do të angazhohen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, institucionet përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Paralelisht, dokumenti parashikon edhe rishikimin e kufijve aktualë të shpejtësisë, të cilët do të përshtaten sipas parimeve të “Qasjes së Sistemit të Sigurt”, duke marrë në konsideratë karakteristikat e rrugës, nivelin e mbrojtjes që ofrojnë automjetet dhe aftësinë e trupit të njeriut për të përballuar pasojat e një përplasjeje.

Kufijtë e rinj do të përcaktohen në bazë të nivelit të rrezikut për çdo segment rrugor, ndërsa në zonat urbane strategjia parashikon masa shtesë për qetësimin e trafikut, veçanërisht pranë shkollave dhe zonave me lëvizje të dendur të këmbësorëve.

Dokumenti parashikon gjithashtu monitorimin e përqindjes së automjeteve që respektojnë kufijtë e shpejtësisë në kushte trafiku të lirë. Ky indikator do të përdoret për të vlerësuar efektivitetin e masave të reja, si dhe për të orientuar kontrollet e Policisë Rrugore dhe fushatat ndërgjegjësuese për sigurinë në rruge, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE