
I ftuar në “Grida Duma Podcast”, Gold AG tregoi se lajmi për dënimet e preku fort, duke e përshkruar reagimin e tij në ato momente.
“Mu mor fryma kur u dënuan krerët e UÇK-së, gati pësova infarkt. Nuk doja të vdisja para syve të djalit”, u shpreh këngëtari.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për vizitat dhe bisedat që ka zhvilluar me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin gjatë qëndrimit të tyre në Hagë.
Sipas Gold AG, pavarësisht situatës në të cilën ndodhen, mesazhet që ka marrë prej tyre gjatë takimeve kanë qenë të fokusuara te qëndrueshmëria dhe mënyra se si ata e shohin procesin ndaj tyre.
Këngëtari u ndal gjithashtu te raporti i tij me UÇK-në dhe mënyra se si patriotizmi ka ndikuar ndër vite edhe në krijimtarinë e tij muzikore.
“Heronjtë tanë janë vrarë në prita”, deklaroi ai gjatë bisedës, ndërsa për marrëdhënien e tij me Shqipërinë u shpreh: “Shqipërinë e kemi dasht pa kushte”.
Një tjetër pjesë e intervistës iu kushtua historisë së tij personale dhe këngëve me tematikë kombëtare. Gold AG kujtoi edhe arrestimin e tij në Greqi, për të cilin tha se lidhej me këngët e tij për Çamërinë.
“Kurrë në jetë nuk shkoj të pushoj në Greqi!”, deklaroi këngëtari.
Në intervistë, Gold AG foli gjithashtu për besimin, familjen dhe edukimin e fëmijëve, ndërsa një pjesë të rëndësishme të rrëfimit ia kushtoi takimeve me ish-krerët e UÇK-së dhe reagimit të tij pas vendimit të Hagës.
Post navigation
