LAJME / E Hënë 21 Shtator 2026, 15:03

Ekzekutimi i Artan Myrtajt, RENEA “zbarkon” në Kamëz, ushtron kontrolle në banesat e Ervis Lamit, nipit dhe mikut të tij

RENEA ka “zbarkuar” këtë të hënë në Kamëz, ku ka ushtruar disa kontrolle në kuadër të hetimeve për vrasjen e 44 vjeçarit Artan Myrtajt një ditë më parë në Sarandë.

Sipas gazetares Klodiana Lala, kontrollet janë ushtruar në banesën e Ervis Lamit, nipit të tij dhe një personi tjetër me lidhje miqësore. Lami njihet si kreu i grupit të struktura kriminal që po vepron në Sarandë dhe Tiranë. Gjatë kontrolleve, në banesën e tyre nuk është gjetur asgjë.

44-vjeçari Myrtaj sapo ishte liruar nga burgu si i përfshirë në ngjarjen e korrikut të 2025 ku u plagosën dy miqtë e Ervis Lamit, në qendër të Sarandës.

Artan Myrtaj, 44 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri nga dy persona që lëviznin me motor. Ngjarja u shënua rreth orës 09:55 te ish-agjencia. Një plumb kapi edhe 73-vjeçarin Xhevdet Skëndaj, i cili po kalonte rastësisht aty. Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra.

44-vjeçari, i njohur si “Tani i Rruzhdiut”, ishte me precedentë. Ai u arrestua në lidhje me ngjarjen e 17 korrikut të vitit 2025, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame nga Kamza.

Autor ishte Ramadan Zoto, 44 vjeç, ndërkohë që Artan Murtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj e ndihmuan atë në ngjarje dhe gjatë arratisjes. Myrtaj njihej edhe si përdorues i lëndëve narkotike dhe i dënuar më parë për “vjedhje”.

Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë pjesë e vazhdimit të konfliktit të nisur pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar.