LAJME / E Hënë 2 Tetor 2023, 19:07

Kalim kufiri me dokumenta false, arrestohen në Rinas liberiani dhe 34-vjeçari nga Kosova

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë goditur 2 raste të tentativave për të kaluar kufirin me dokumenta false.

Si rezultat i kontrolleve janë arrestuar në flagrancë 32-vjeçari liberian S.K., banues në Poloni dhe 34-vjeçari me iniciale B.M., banues në Kosovë.

Këta persona i kanë paraqitur punonjësve të Policisë Kufitare, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria. Pas verifikimeve nga punonjësit e Policisë Kufitare, me pajisjet dedektuese, ka rezultuar se këto dokumente ishin të falsifikuara.  

Dokumentet false janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dokumentet e identifikimit origjinale (pasaportë, ID) të shtetasit liberian, të cilat iu gjetën atij gjatë kontrollit fizik.   

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”./tvklan.al