
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi ka folur në lidhje me çështjen “Partizani”, ku në pranga ka rënë dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ndërsa për kreun e “Foltores”, është vendosur “Detyrim Paraqitje”. Gjatë një interviste televizive, të cilën gazeta “SOT” po e pasqyron më poshtë, prokurori Beçi theksoi se që prej të shtunës kur u arrestua Malltezi kemi hyrë në një epokë të re, duke theksuar se zyrtarët e lartë përfshirë dhe ish-kryeministrat apo kryeministrin duhet të ketë kujdes nëse ka miratuar ligje klienteliste. Po ashtu, zoti Beçi tregon se pse ish-kryeministri Berisha duhet të paraqitet para Gjykatës së Posaçme, ndërsa zbulon se çfarë mund t’i ndodhë kryefoltoristit pas 3 vitesh dhe pse SPAK nuk e arrestoi si Jamarbër Malltezin.
-Zoti Beci, ish-kryeministri Sali Berisha duket se nuk do të shkoj në SPAK, është legjitime që të mos paraqitet në seancë?
Nga pikëpamja procedurale, ku gjykata është e detyruar që të zbatoj kushtet e një mase sigurimi, aty janë disa kushte kumulative. E para nëse masa e sigurimit është arrest me burg, ose arrest në shtëpi detyrimi për ta njoftuar personin personalisht nga ana e policisë gjyqësore është i përcaktuar. Në rast se kemi të bëjmë me masa të tjera sigurimi përveç atyre që janë parashikuar me arreste, ka të bëjë vetëm me njoftimin e personit dhe me njoftimin e tij merret vetëm gjykata. Në rast se njoftimi i personit nuk realizohet në mënyrë personale nëpërmjet një procesverbali të mbajtur nga oficerët e policisë gjyqësore, atëherë detyrosh që të bësh njoftimet sipas rregullave të përgjithshme që parashikon kodi i procedurës penale që mund të jenë nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, ose nëpërmjet përfaqësuesit me prokurë të posaçme dhe mund të jenë njoftimet e tjera që vijnë për shkak të vendbanimit të tij. Në rast se gjykata e ka bërë njoftimin publik pasi ka ezauruar këto njoftimet e tjera ai quhet i kryer dhe duhet që brenda 5 ditëve duhet që të bëhet marrja në pyetje. Sa i përket autorizimit për marrjen e masës së sigurisë, Kushtetuta e Shqipërisë përcakton parimet e përgjithshme. Nëse Kushtetuta flet për parime të përgjithshme detyrohet që zbatimin e parimeve kushtetuese të jemi në kodin e procedurë penale. Ky i fundit tregon se për personat me imunitet duhet patjetër që të merret autorizimi nga Kuvendi për të caktuar një masë sigurimi, qoftë ajo edhe e ndryshme nga arresti me burg apo arresti në shtëpi. Një personi me imunitet nuk mund t’ia kufizosh lirinë dhe merret për çdo person. Dua të dijë pse për një person me imunitet nuk është kërkuar leje nga Parlamenti.
-Sipas jush Berisha duhet të paraqitet në SPAK?
Në pikëpamjen e zbatimit të një mase sigurie e cila ka zgjidhje vetëm nëpërmjet shkallës të proceseve gjyqësore duhet normalisht që të paraqitej.
-Rrezikon që të shoqërohet në rast se kalojnë 5 ditët?
Në rast se kalojnë 5 ditët, në fakt është rast unikal nuk e si se si do e vlerësojë gjykata ekzekutimin e marrjes në pyetje të këtij personi. Sepse marrja në pyetje nënkupton që gjykata sigurohet se policia e ka zbatuar saktësisht masën e sigurisë dhe gjykata sigurohet se nga dita që ka caktuar vendimin deri në ditën që do të ekzekutohet vendimi mos kemi të bëjmë me ndonjë ndryshim apo kemi ndonjë provë të re e cila mund ta rrëzojë masën e sigurimit. Jam kurioz të di si do të jepet argumenti se nuk është kërkuar leje nga Parlamenti.
-Me aq informacione sa ka deri tani, cila është shkelja që ka bërë Berisha?
Sa i përket vendimit të gjykatës dhe konkluzioneve që ka nxjerr SPAK, janë 3 pika të cilat e ngarkojnë me dyshim të arsyeshëm për të pasur një masë sigurie. Pika e parë është se ka kryer veprime konkrete aktive në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore në favor të familjarëve të tij, e dyta është se janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative me qëllim intimidimit dhe kryerjen e shantazhit të ushtrimit të presionit dhe dhënies së urdhrave konkrete dhe pika e 3 është se janë kryer veprime aktive vendosje në dispozicion të dhëndrit të tij struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizmin e procesit të privatizimit të pronës. Është caktuar një masë sigurimi dhe kemi vetëm dyshime të arsyeshme dhe do të duhet që të shprehen në vendimin gjyqësor. Do të duhet që Prokuroria e Posaçme sot që po flasim të dalë me prova dhe jo me hamendësime e deduksione. Në rast se një person që ka qenë ish-kryeministër apo ish-president, ka ndikuar për hartimin e ligjeve dhe akteve ligjore, duhet të qëndrojmë tek pikëpamja penale dhe pikëpamja penale njeh vetëm një parim, lidhjen shkak pasojë dhe fajin. Që ti lidhësh të treja këto do t’i duhet Prokurorisë që në ditët në vijim të përcaktojë dhe të provojë që këta ministra ka qenë apo jo vartës të ish-kryeministrit. Prokuroria duhet t’i largohet konfliktit civilë penalë, do të duhet të përcaktojë se këto shkelje janë më tej se civile apo administrative dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se kemi hyrë në një epokë të re. Çdo ish-kryeministër dhe çdo kryeministër i Shqipërisë me standardin që Prokuroria e Posaçme po vendos duhet të bëjë kujdes kur ka miratuar ligje klienteliste, ligj me akte nënligjore.
-Tani përderisa akuzat janë të njëjta, pse masa është e ndryshme vlen aspekti i moshës?
Është kriteri i përjashtimit për personat që janë mbi 70 vjeç. Nuk është vetëm fakti penale, por merret edhe mosha e personit, sepse ndalohet arresti me burg për një person mbi 70 vjeç. Një personi me imunitet nuk mund ti shkelen të drejtat e tij dhe duhej marr leje nga Parlamenti.
-Çfarë shkelje ka bërë Jamarbër Malltezi, për çfarë akuzohet ?
Kemi kthimin dhe kompensimin e pronës, privatizimin e një kompleksi dhe veprimet e kryera brenda shoqërive tregtare. Këto janë 3 pika kyçe, të cilat përkthehen pastaj në degë. Gjatë hetimit prokuroria do të duhet që të provojë se ka një ligj për shoqëritë tregtare që përcakton se si shiten dhe blihen aksionet dhe nëse provohet se ka shkelje penale atëherë mund të themi se mund të kthehet në akuzë penale. Republika e Shqipërisë por edhe republika të tjera funksionojnë edhe mbi bazë të ligjeve të tjera jo vetëm mbi ligjet penale.
-Të gjitha pasuritë që i janë sekuestruar Jamarbër Malltezit a duhet të justifikohen para gjykatës?
Në pikëpamjen procedurale po themi se SPAK dhe gjykata ka vepruar brenda harkut të logjikës ligjore, është tjetër gjë qëndrojnë apo jo akuzat dhe do i sekuestrohen sa i përket hetimit pasuror.
-Zoti Bektashi që është biznesmeni që ka folur në disa media, sipas jush a është një njeri që mund të di gjithçka ?
Deklarimi duhet të jetë në unison me provat e tjera. Duhet të kuptojmë se në dosje kaq të vështira nuk duhet që kemi veprime procedurale gri, por bardh dhe zi. Si mazhoranca edhe opozita edhe kur votuan reformën në drejtësi me 140 vota duhet ta kuptojnë se kjo ditë do të vinte, në rast se mendonin se reforma do duhej asnjëherë ai që është në qeveri nuk bënë reformë për të goditur veten e tij, por rreziku më i madh është ndaj opozitës.
- Nëse do kishit mundësitë që ti jepnit një këshillë Berishës do ti këshillonit që të shkonte në gjykatë, ndërsa dua të ndalem pak edhe tek deklaratat e tij të cilat gjatë ditëve të fundit kur ka dal nëpër konferenca për media i është referuar me terma ofendues prokurorëve?
Unë them se duhet që të shkoj në sallën e gjyqit, sepse atje ti në rast se mendon se prokurori dhe gjyqtari kanë veprime të cilat dyshohet se kryhen në mënyrë të njëanshme dhe jo objektive salla e gjyqit është ajo ku ti duhet që të paraqesësh provën. A vlen një pafajësi për një politikan karriere pas 3 viteve? Brenda 3 viteve të gjitha do të përcaktohen dhe do të përjashtohen. Pafajësia pas 3 vitesh a është e vlefshme politikisht, jo. Derisa nuk është e vlefshme politikisht zgjidhja nuk është më procedurale, por është politike që duhet që ta zgjidh politikani. Në rast se kemi të bëjmë me një person që është subjekt i veprës penale dhe që është proceduar penalisht, këshillat avokatët i japin vetëm me pagesë, pa pagesë ata i japin këshillat vetëm kur kemi të bëjmë me persona që nuk kanë mundësi financiare për të paguar një avokatë dhe ua paguan shteti.
