
Ish-Presidenti dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar për vrasjen e gruas së ish-këshilltarit të tij, Liridona Murseli.
Vetëm pak më parë u njoftua se bashkëshorti i saj, Naim Murseli, bashkë me të dyshuarin për vrasjen e saj janë vënë në pranga nga Policia e Kosovës dhe po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Pacolli shkruan se është i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja mizore e Liridonës, të cilën thekson se e ka njohur edhe personalisht.
Ndërsa përgëzon Policinë për punën profesionale për zbulimin e rastit, ai thotë se “kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë”.
"Sot, fëmijët dhe familja kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës. I përgezoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i paparë në traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. Pacolli tha se kjo është “e pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar!”.
