
Në ditët e nxehta të gushtit një lajm i rëndë u raportua, Një 19-vjeçare kishte vendosur t’i jepte fund jetës në moshën më të bukur, atëhere kur ëndrrat për një të ri janë aq të mëdha sa dhe vetë bota në të cilën jeton.
Por, atë mëngjes të 9 gushtit, Mardalena Limaj, konsumoi një sasi të konsiderueshme medikamentesh dhe fatkeqësisht humbi jetën, duke lënë në hidhërim nënën e saj, Anën.
Secili mund të jetë ndeshur, dashur pa dashur, me postimet e Anës në rrjetet sociale. Çdo ditë ajo nuk nguron të shprehë mes vargjeve dhimbjen që shpirti po ja mban. E së fundmi, ajo ka vendosur që të flasë edhe mes mediave për këtë humbje të madhe.
Për Top Channel, Ana, e cila pas vdekjes së vajzës është zhvendosur në një banesë sociale, ku dhe jeton e vetme, ka treguar kalvarin e vështirësive që së bashku me të voglën e saj kanë kaluar. Ajo rrëfeu se për shkak të gjendjes ekonomike dhe shëndetësore të së voglës së saj, vendosi që vite më parë ta linte në shtëpinë e fëmijës. Një zgjedhje e vështirë për atë, por që në atë kohë nuk shihte rrugë tjetër shpëtimi, dhe vetëm kështu Marda do të jetonte.
Mirëpo, atë periudhë vajzës së saj ju desh të kalonte një sërë vështirësish, deri në abuzim seksual nga persona të cilët sot janë të lirë. Madje ajo rrëfeu se Marda ishte shtruar më herët në spital psikiatrik, mirëpo vetë Ana nuk ishte në dijeni, ndonëse përgjatë viteve që ajo kishte qëndruar në shtëpinë e fëmijës e kishte vizituar dhe nuk e kishte braktisur asnjëherë.
“Do më ngelet peng që nuk vendosa drejtësi, por nuk ja dola dot. S’ia dola dot. Është e vështirë të jesh vetëm në këtë botë”, ka thënë ajo ndër të tjera, një brengë që po i mundon zemrën për faktin se nuk arriti që të vendoste pas hekurave abuzuesit e vajzës së saj.
Në datën 21 gusht u vendosa në banesën sociale. Po sepse më ndodh tragjedia e vajzës dhe shtëpia ku jetoja e mori e zonja, humba gjithçka që kisha, dola me rrobat e trupit. Kërkova ndihmë, isha në gjendje shumë të rënduar psikologjike thash do ja bëj dhe unë si ime bijë. Më ofruan këtë banesë. Marda kishte 9 vite që vuante me depresion edhe shumë diagnoza të tjera, por më kryesorja ishte depresioni. Bëra një luftë të paparë se nuk donte të jetonte, ajo bëri 18 vjeç dhe u nda nga unë nuk kishte asgjë, as kushte, asgjë dhe në fund në datën 9 gusht u vetëvra me ilaçe. Nuk e di a i ka rënë shpirti rehat tani. Ajo që kur lindi lindi me probleme shëndetësore. Kaloi koha u rrezikua shumë me shëndetin shkoi deri në 800 gram, unë s’kisha mundësi ta ushqeja.
Erdhi një moment që unë duhet të zgjidhja mes të mbajtur gjallë të time bijë dhe ta lija diku dhe të shkoja ta takoja. Përjashtova egon e një nënë thashë më mirë shkoj e takoj dhe e di që e kam se sa të më vdesë, ka kaluar 3 shtëpi fëmije Kur e mora nuk mora fëmijën tim, mora një fëmijë të abuzuar një fëmijë me trauma, që ishte shtruar dhe më parë në spitalin psikiatrik dhe unë se dija. Vajza shpërtheu në të qara, 1-2-3, ju drejtova spitalit, aty mora vesh që ishte e shtruar në spitalin psikiatrik. E ndoqa çështjen e abuzimit deri në një farë masë por ishte e vështirë ta ndiqja kur je vetë është e vështirë. Çështja është pushuar për personat që e kanë abuzuar. Nuk kam mundur të vendos dot drejtësi por besoj ajo e di që unë kam bërë të pamundurën. Do më ngelet peng që nuk vendosa drejtësi, por nuk ja dola dot.
S’ia dola dot. Është e vështirë të jesh vetëm në këtë botë. Aktualisht ja, flas me të, ishalla është mirë atje ku është. Edhe pse i thoja gjithmonë që për aktin e vetëvrasjes as Zoti nuk të fal. Uroj të ketë gjetur paqe. Atë kisha dritën e syve.
