LAJME / E Premte 30 Maj 2025, 13:01

Helmimi i 17 fëmijëve në kopshtin e Gramshit, ISHP zbulon shkakun

Helmimi i 17 fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur si pasojë e konsumimit të vezëve të kontaminuara me salmonelë, konfirmuan analizat e kryera në Institutin e Shëndetit Publik.

Në total u analizuan 72 persona, përfshirë 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit të institucionit parashkollor. Ngjarja ndodhi më 20 maj, por nuk u bë publike menjëherë – familjarët e një prej fëmijëve ishin ata që denoncuan rastin, duke nxjerrë në dritë episodin e helmimit masiv.

Pas publikimit të ngjarjes, prindërit protestuan duke kërkuar hetimin e personave përgjegjës dhe masa për përmirësimin e sigurisë ushqimore në institucionet e arsimit parashkollor.

Në një reagim publik, kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi, mohoi akuzat për fshehje të ngjarjes apo intimidim ndaj prindërve, duke theksuar se kompania “Nelsa SHPK”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshtit, ka paraqitur të gjitha analizat higjeno-sanitare sipas rregullave në fuqi.

Megjithatë, dyshimet kryesore mbeten mbi këtë kompani, pasi vezët që rezultuan burimi i infeksionit janë pjesë e produkteve të shpërndara prej saj.

Salmonella është një bakter i zakonshëm në produktet me origjinë shtazore, si mishi i pulës dhe vezët, dhe mund të shkaktojë probleme serioze gastrointestinale, sidomos te fëmijët. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësive institucionale vijojnë , do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE