
Gjykata e Korçës ka lënë në burg Durim Toskën, ish drejtorin e Burgut të Fushë Krujës, i cili tre ditë më parë (2 dhjetor) u arrestua në flagrancë në Pogradec për dhunë ndaj gruas së tij dhe armëmbajtje pa leje.
Bashkëshortja e tij kishte urdhër mbrojtje nga gjykata, ndërsa arrestimi i Durim Toskës erdhi pas kontrollit të bërë nga policia e Pogradecit që i gjeti edhe një armë pa leje në banesë.
Bashkëshortja e ish-drejtorit të burgut të Fushë-Krujës Durim Toska ka tërhequr padinë e bërë ndaj tij për dhunë në familje.
Ndërsa sa i takon pistoletës pa leje dhe fishekëve të gjetur në banesën e tij, Durim Toska ka deklaruar se nuk kishte dijeni. Avokatët kanë kërkuar masë sigurie më të lehtë për Toskën duke argumentuar faktin që 52 vjeçari nuk e kishte dhunuar bashkëshorten e tij por kishin patur një debat në familje.
Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë Krujë.
Në njoftim thuhej se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte ndërmarrë këtë hap pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga Durim Toska.
