LAJME / E Martë 14 Nëntor 2023, 23:11

Gjendet pjesë trupi njeriu në Xarrë të Sarandës, dyshimet e para

Një pjesë trupi njeriu raportohet të jetë gjetur mbrëmjen e kësaj të marte në Xarrë të Sarandës. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, thotë se dyshimet e para janë se mbetjet trupore mund t’i përkasin një prej dy personave të zhdukur në Prill të këtij viti, 46-vjeçarëve Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqi).

Sipas gazetares, e gjithë zona është rrethuar nga policia, e cila po kryen veprimet e nevojshme. Autoritetet mësohet se janë pozitivë për faktin se nga pjesa trupore e gjetur, e cila nuk është dekompozuar ende plotësisht, do të mund kryejnë analizat e ADN-së, me qëllim identifikimin e tij.

Megjithatë, sipas gazetares, grupi hetimor është i rezervuar në dhënien e detajeve.

Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari (Krasniqi) u zhdukën në mënyrë misterioze në Prill të këtij viti, nga Çuka e Sarandës (Lexo më shumë). Dyshimet e hetuesve janë se ata u rrëmbyen e më pas u vranë. Në kohën kur u zhdukën, autoritetet bënë kontrolle në Xarrë, Vrinë dhe Shëndëlli, por pa mundur të zbulonin fatin e tyre./tvklan.al