LAJME / E Martë 31 Tetor 2023, 21:09

Elbasan| Rriten çmimet e apartamenteve, 1 m2 shitet 30% më shtrenjtë se në 2022-shin

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Elbasan çmimet e shitjes së apartamenteve janë rritur me 30% krahasuar me një vitin e kaluar. Kjo rritje reflektohet si pasojë e rritjes së çmimeve të materialeve që përdoren për ndërtim. E njëjta situatë paraqitet edhe me qiratë, duke rënduar vetëm mbi xhepin e qytetarëve.

“Gjatë dy viteve të fundit, pas pandemisë çmimet e apartamenteve qoftë për shitje, qoftë për qira janë rritur në një shkallë absolute tek 20-30% vlera, plus ato që ishin me parë. Nga ana tjetër fuqia blerëse është e ulët, njërëzit nuk mund t’i blejnë dot me çmime të larta. Pasi u drejtohen bankave, ata nuk i financojnë për arsye të ardhurash minimale,” – u shpreh agjenti imobiliar, Shpëtim Basha.

Zyrat e shitjes tregojnë se cilat janë zonat më të shtrenjta sa i përket qirasë në qytetin e Elbasanit.

“Një apartament që para dy vitesh ishte më një çmim 150 mijë lek të vjetra në muaj me qira, sot ka shkuar 200. Apartamenti që ka qenë 200 i formatit  2+1 ka shkuar 250 deri ne 270, edhe 300 nëse preferon qendrën. Qendra ka më tepër çmim sesa periferia,” – tha Basha.

Por sa i kushton një apartament një familje në Elbasan?

“Që të blesh një apartament në qendër, pallat i ri, çmimet variojnë nga 800-900 deri në 1000 euro, për ndërtimet e reja 2022 e në vazhdim. Ndërsa apartamentet e vjetra kanë një çmim bruto që vendosët me çmim tregu. Por dhe ky nuk është i ulët, varion nga 600 deri në 700 euro, varet nga arredimi apo investimi që është bërë në atë apartament,” – shpjegoi agjenti.

Këto çmime kanë bërë që shumica e qytetarëve të stepen për të blerë një apartament. Të vetmit që “i futen detit në këmbë” janë çiftet e reja.

Përgjatë 2 viteve të fundit në Elbasan janë ndërtuar rreth 450 apartamente. Referuar shitjeve të vitit 2021, janë afro 100 prona të shitura, ndërsa për vitin 2022 janë 150 prona të shitura.