
Një lajm i trishtë dhe i beftë ka ardhur paraditen e kësaj të enjteje, kur për mediat është bërë me dije se ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare.
Lajmi i kobshëm është ndarë edhe në rrjetet sociale nga familjarët dhe miqtë e shumtë të Halucit, të cilët ende nuk po e besojnë këtë ikje të parakohshme të tij.
“Nuk dua dhe nuk mund ta besoj që Skender HALUCI nuk jeton ma. Na e këpute shpirtin kusho. Engjëll ishe në tokë. Engjëll do të jesh në qiell.”, shkruan Bislim Ahmetaj.
Mësohet se prej disa ditësh Haluci ndodhej në Bjeshkët e Tropojës, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, ai u ka treguar familjarëve se nuk ndihej mirë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë është gjetur pa shenja jete.
Vdekja e papritur e magjistratit ka tronditur thellë familjarët, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët kanë shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta.
Rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjekoligjore dhe autoritetet përkatëse.
Skënder Haluci ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka shërbyer edhe si kryetar i Gjykatës së Vlorës. Ai ishte një prej figurave të njohura të drejtësisë në Vlorë, ndërsa karriera e tij në sistem u ndërpre pas procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, të njohur si vettingu.
Skënder Haluci ishte një prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë shqiptare, me një karrierë prej më shumë se dy dekadash në gjyqësor. Ai e nisi detyrën si gjyqtar më 23 gusht 1996 dhe për vite me radhë ushtroi funksionin në gjykatat e Tiranës dhe të Vlorës.
Haluci përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2008 ndoqi edhe studime pasuniversitare pranë këtij universiteti.
Karrierën në sistemin gjyqësor e nisi më 23 gusht 1996, si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në këtë detyrë shërbeu për rreth 15 vite, deri më 24 nëntor 2011, kur u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Pas eksperiencës si gjyqtar në Vlorë, Haluci mori edhe detyra drejtuese në këtë gjykatë. Më 28 tetor 2013 u komandua në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa më 17 tetor 2014 u emërua zyrtarisht kryetar i kësaj gjykate. Në këtë funksion qëndroi deri më 5 mars 2020.
Gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, veprimtaria profesionale e Halucit ishte vlerësuar pozitivisht.
Karriera e tij në gjyqësor u ndërpre në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vettingu. Më 5 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Pas këtij vendimi, Haluci u pezullua nga detyra, ndërsa çështja vijoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Më 27 tetor 2022, KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e Skënder Halucit nga detyra, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.
Pavarësisht përfundimit të karrierës së tij si gjyqtar, Skënder Haluci mbetet i lidhur me një periudhë të gjatë të sistemit gjyqësor shqiptar, ku për më shumë se 25 vite ushtroi funksione gjyqësore, përfshirë edhe drejtimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
