
Një natë tragjike është shënuar në Kosovë, ku tre persona kanë humbur jetën në dy aksidente të ndara trafiku që ndodhën brenda pak orësh në komunat e Obiliqit dhe Podujevës.
Ngjarjet kanë tronditur opinionin publik, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e të dy aksidenteve.
Aksidenti i parë me pasoja fatale ndodhi rreth orës 23:00 në komunën e Obiliqit.
Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe një këmbësor.
Si pasojë e përplasjes, shoferi dhe pasagjeri i motoçikletës humbën jetën, ndërsa këmbësori pësoi lëndime dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Mbrëmë rreth orës 23:00, Policia ka pranuar informatën se në Obiliq ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident ka qenë e përfshirë një motoçikletë dhe një këmbësor. Si pasojë e lëndimeve të marra, shoferi dhe pasagjeri i motoçikletës kanë humbur jetën, kurse këmbësori ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana.
Vetëm rreth një orë e gjysmë më vonë, një tjetër aksident me pasoja fatale u raportua në fshatin Gërdoc të Podujevës.
Sipas Policisë, rreth orës 00:30 një veturë u përfshi në një vetaksident, si pasojë e të cilit drejtuesi i automjetit humbi jetën.
Vdekja e viktimës u konstatua në vendngjarje nga ekipi mjekësor emergjent.
“Rreth orës 00:30, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Gërdoc të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident ka qenë e përfshirë një veturë. Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka humbur jetën”, ka deklaruar Pllana.
Në të dyja rastet, njësitet e Trafikut Rajonal të Prishtinës, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë kryer ekzaminimet në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetime për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidenteve.
Policia e Kosovës ka apeluar edhe një herë për kujdes të shtuar në trafik, respektim të kufizimeve të shpejtësisë dhe të gjitha rregullave të qarkullimit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
