
Janë publikuar rezultatet e autopsisë për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua më 14 shkurt në Montecalvoli, në komunën Santa Maria a Monte të Italisë. Raporti mjeko-ligjor ka zbuluar se vetëm një nga plumbat e qëlluar rezultoi fatal, ndërsa hetimet po hedhin dritë edhe mbi dinamikën e krimit dhe autorët e dyshuar.
Sipas ekspertizës së mjekut ligjor Marco Di Paolo, plumbi vdekjeprurës goditi Muharremin në anën e djathtë të qafës, duke dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore në nivelin e vertebrave C2 dhe C3. Dëmtimet shkaktuan paralizë të frymëmarrjes dhe hemorragji të brendshme, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të 25-vjeçarit.
Autopsia, e kryer më 13 mars me urdhër të prokurorit të Pizës, Fabio Pelosi, konfirmon gjithashtu se viktima u plagos edhe në parakrah dhe kyçin e dorës së djathtë, por kjo plagë nuk ndikoi në vdekjen e tij.
Për ngjarjen akuzohet 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në burg që prej ditës së krimit. Ai u arrestua në Arezzo, ndërsa po largohej me familjen në një automjet tip “Range Rover Evoque”, mjeti nga i cili dyshohet se u qëllua ndaj Muharremit. Sipas hetimeve, Xyke nuk e ka mohuar se ka qëlluar në drejtim të viktimës.
Prokuroria italiane dyshon se vrasja ishte kulmi i një konflikti mes dy grupeve shqiptarësh, i cili kishte nisur disa orë më herët në një lokal në zonën Capanne di Montopoli dhe vijoi më pas në parkingun e tij. Pas kontakteve telefonike mes palëve, ata u takuan sërish në Viale della Repubblica, ku ndodhi ekzekutimi.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se janë shkrepur të paktën gjashtë plumba, siç dëshmojnë edhe dëmtimet e konstatuara në automjetin “Fiat Doblò”, ku ndodhej viktima.
Në kuadër të hetimeve, nën verifikim është edhe një 18-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në automjet me Renato Xyken. Ai po hetohet në gjendje të lirë dhe është paraqitur vullnetarisht në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e krimit, përpara se çështja të kalojë në fazën gjyqësore, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
