
**Tragjikisht përfundon kërkimi për tre personat e zhdukur – gjenden të pajetë pranë kufirit me Kosovën**
Kërkimi për tre personat që rezultonin të zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës ka përfunduar në mënyrë tragjike. Sipas burimeve të Alsat, automjeti i tyre tip **Mercedes** me targa gjermane është gjetur i përmbysur pranë kufirit me Kosovën, ndërsa brenda tij janë gjetur trupat e pajetë të të tre udhëtarëve.
Viktimat janë identifikuar si **Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani**. Ata ishin parë për herë të fundit të shtunën rreth orës 22:00 në Shkup, pasi ishin nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në drejtim të Kosovës.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti është gjetur i përmbysur pranë rrethrrotullimit të parë në segmentin e autostradës **Shkup–Bllacë**, i cili ende është në ndërtim.
Dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka vërejtur me kohë rrethrrotullimin e vogël, ndërsa mungesa e ndriçimit në këtë pjesë të rrugës mund të ketë ndikuar që automjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë i përmbysur në një humnerë. Megjithatë, shkaqet e sakta të aksidentit do të përcaktohen vetëm pas përfundimit të hetimeve zyrtare.
Aksidenti është raportuar rreth orës **22:35** nga një kalimtar i rastit, i cili kishte vërejtur automjetin e përmbysur pranë kyçjes në autostradën e re që është në ndërtim.
Në automjet ndodheshin **dy gra dhe një burrë**. Sipas të dhënave fillestare, dy prej viktimave kishin mbërritur më herët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa më pas ishin nisur së bashku drejt Kosovës.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet policore dhe Ndihma e Shpejtë. Në orën **23:07**, mjeku i ekipit të emergjencës ka konstatuar vdekjen e të tre personave.
Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrja nga ekipet e Njësisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë policorë të Stacionit Policor të Çairit dhe inspektorë të Sektorit për Hetime.
Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident tragjik, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
