LAJME / E Enjte 3 Shtator 2026, 22:10

Biznesmeni Vasil Bedinaj befason të gjithë në polici! Ja si qëndron e vërteta

Një incident ka ndodhur mesditën e sotme në një prej hoteleve në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku pronari i një hoteli pretendon se një grup prej më shumë se 10 personash, shumica e tyre e armatosur e kanë kërcënuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas pronarit të hotelit, Vasil Bedinaj, mbi 10 persona e kanë kërcënuar. Bedinaj është biznesmen i njohur në Vlorë dhe njëkohësisht kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë prej shumë vitesh.

Sipas Bedinajt ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e autorëve. Gjatë ndjekjes, dy persona, që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti. Korrespodenti i Top Channel, Mikel Marsi raporton se dy personat që janë aksidentuar janë arrestuar dhe janë nga Tirana.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake