LAJME / E Mërkurë 4 Tetor 2023, 11:11

Bizneset nuk deklaruan të ardhurat, qeveria propozon ndryshimin e ligjit për turizmin, kryeministri Rama bën “sherr” me ndërtuesit dhe i kërcënon me gjoba

Qeveria ka propozuar ndryshimin e ligjit për turizmin, pas mosdeklarimit të numrit real të dhomave të dhëna me qira dhe fshehjes së të ardhurave. Me ndryshimet e reja propozohen gjoba për këto shkelje në vlerën 150 mijë lekë. Asnjë subjekt nuk do lejohet të japë dhomë apo apartament me qira për turistët nëse s'ka licence të posaçme nga Ministria e Turizmit. Në projektligj propozohet që pjesë e strukturave akomoduese të mos jenë vetëm hotelet, motelet, resortet, kampingjet apo dhomat e ofruara nëpër agroturizma, por të përfshihen edhe apartamentet që ofrohen nga qytetarët për akomodimin e turistëve që kanë në përbërje një dhomë, kuzhinë dhe të paktën 1 tualet. Po ashtu, pjesë e listës do të jenë edhe një bllok apartamentesh (2 ose më shumë) që menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik. Për herë të parë propozohet që të përfshihen në ligj edhe dhomat që jepen me qira për pushuesit, pavarësisht se janë brenda një ndërtese rezidenciale apo një ndërtese banimi.  Nëse do miratohen ndryshimet e propozuara edhe Vilat, strukturat akomoduese të vendosura në objektet e trashëgimisë kulturore apo strukturat akomoduese që ofrojnë shërbimet e mikpritjes për vizitorët, të përbëra nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik. Referuar projektligjit të gjitha këto struktura akomoduese të lartpërmendura duhet të regjistrohen në QKR dhe brenda 30 ditësh duhet të aplikojnë për të marrë certifikatë pranë Ministrisë së Turizmit. “Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin. Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin te kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën”, thuhet në nenin 43 të këtij projektligji.

Ndërkaq, për të gjitha strukturat akomoduese që ushtrojnë aktivitetin pa marrë licencë pranë ministrisë do të aplikohen penalitete si: Ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizmi, sipas nenit 43/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si: nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000-50 000 lekë,  nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë; nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë: nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë; mbi 80 dhoma me 400 000 lekë. Përdorimi i paautorizuar i shenjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 dënohet me gjobë 200 000 lekë; ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse sipas nenit 45/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave: deri në 5 dhoma 50 000 lekë;  mbi 5 dhoma 100 000 lekë. Për shkak të fenomenit që strukturat akomoduese të deklaruara por edhe ato të padeklaruara nuk raportojnë numrin e vizitorëve, në projektligj propozohet ndëshkim me gjobë edhe për këtë shkelje. “Mosdeklarimi i të dhënave statistikore nga strukturat akomoduese për numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, sipas nenit 66 dënohet me gjobë 150 000 lekë”, thuhet në germën R, të nenit 71.

Licencë edhe për AirBnB, Rama: S’mund të mbeten të pataksuar

Ndërkohë, qeveria ka hedhur për konsultim disa ndryshime në ligjin për turizmin, ndërsa edhe AirBnb Do duhet të pajisen me licencë. Dje, kryeministri Edi Rama tha se kjo mbetet një sfidë, por ky biznes nuk mund të mbetet pa u taksuar ndërsa ka pasur fluks të ardhurash.“Air BnB kemi qenë të vetëdijshëm s’ka shqetësim nëse paratë shkojnë direkt te familjet, por s’mund të jetë fluks të ardhurash që rriten dhe ndërkohe mbetet i pataksuar. Mbetet sfidë me vete se AirBnB, por ne kemi gjetur rrugët për të hapur një diskutim me ta edhe duke marrë parasysh shembullin e disa vende si Kroacia. Aty do jemi pak më të ngadaltë për faktin se kemi nevojë ti lëmë më shumë frymëmarrje familjeve që vënë shtëpinë një dispozicion për turizmin”, tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama thotë se edhe hotelet do të taksohen me çmim reference nga viti i ardhshëm. Në bilancin e sezonit turistik, Rama tha se dhomat e strukturave akomoduese kanë qenë plot, por në fakt biznesmenët nuk i kanë deklaruar. “E kemi vënë me bindje TVSH 6% për hoteleri. Ju keni fituar shumë më tepër, ne s’kemi marrë atë që na takon si shtet në arkën e atë ardhurave që na duhet për këto gjërat e tjera. Me ca do ti bëjmë deri në fund gjithë infrastrukturat e nevojshme. Ne ca do rrisim fondin e trajnimeve profesionale, me të ardhura. Në Shqipëri këtë vit s’ka pasur asnjë dhomë bosh, me miq që më kanë kërkuar dhomë kudo që të ishte. Si shpjegohet që te deklarimet keni qenë plot me dhoma bosh. Mirë një weekend keni sjell vjehrrin, një weekend krushqit, një tjetër shokët e fëmijërisë. Vitin e ardhshëm do keni një referencë dhe shteti do marrë atë që mendon se i takon, nën atë s’ka shans”, tha  ai.

Rama përplaset me ndërtuesin

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dje në një diskutim për procedurat administrative të biznesit, ka debatuar me një ndërtues lidhur me taksën 3%. Rama u përgjigj ashpër duke kërkuar nga ndërtuesit të shpjegojnë se pse i shesin apartamentet shtrenjtë dhe e deklarojnë shumë të ulët shifrën reale. Rama tha se çmimi i referencës është vendosur në bazë të tregut dhe taksa 3% është minimale.“Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti të thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju, ju do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me dy mijë euro dhe do i deklaronit me 850 euro. Këtë nuk kishit parashikuar ju dhe evazionin. Bashkitë duhet të ndërtojnë infrastruktura që ju s’keni ça merrni përsipër. Epo ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë, 5, 8 mijë euro dhe të deklaroni çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës janë vënë mbi bazën e tregut. Është bërë një studim i tregut dhe iu është vënë detyrimi që të përgjigjeni në bazë reale. Sa doni të fitoni ju, ju doni të fitoni sa më shumë”, tha ai.