LAJME / E Martë 15 Tetor 2024, 12:12

Autobusi me studentë përmbyset në autostradë, humbin jetën 12 persona, plagosen 33 të tjerë

Kajro- 12 studentë kanë humbur jetën dhe 33 u plagosën sot në Egjipt pasi një autobus u përmbys në një autostradë që lidh Kajron me bregun e Detit të Kuq.

Lajmin e konfirmoi ministria egjiptiane e shëndetësisë.

Autobusi po transportonte studentë nga Universiteti i Galala, në provincën lindore të Suezit, kur u përmbys në autostradën Al-Galala, e cila lidh Kajron me qytetet bregdetare në Detin e Kuq.

Në këtë aksident trafiku nuk është përfshirë asnjë automjet tjetër dhe po hetohet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e aksidentit. Sipas rrjetit privat pro-qeveritar Sada al-Balad, hetimet fillestare tregojnë se shoferi i autobusit ishte duke ecur me shpejtësi dhe humbi kontrollin e mjetit.