LAJME / E Martë 16 Janar 2024, 20:08

“Arrest shtëpie” për 50-vjeçarin pasi vrau kunatin, avokati: Gjykatat shqiptare të marrin shembull

Vendimi i lirimit nga burg dhe vendosja së masës së sigurisë “arrest shtëpie” për 50-vjeçarin Fatmir Talellari, i cili vrau kunatin pasi kishte abuzuar me të bijën që në moshën 9-vjeçare është përshëndetur jo vetëm nga opinioni grek, por edhe ai shqiptar.

Avokati Alban Duraj tha se ky është në vendim i drejtë dhe për t’u marrë shembull edhe nga gjykatat shqiptare. Avokati Duraj, i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, tha se edhe gjykatat shqiptare duhet të tregohen më njerëzore për raste specifike dhe të marrin vendime të tilla të guximshme.

I pyetur se pse gjykatat shqiptare nuk kanë një sensibilizim të tillë për ngjarje të tilla në vendin tonë, Duraj tha se kjo vjen për shkak të mentalitetit.

“Ky është një vendim i befasishëm se në vendin tonë nuk kemi vendime të tilla. Kemi pasur raste të ngjashme dhe gjykatat nuk japin kurrë një masë “detyrim paraqitje” apo “arrest shtëpie”. Është shembull për t’u marrë. Ky është një rast i dhimbshëm dhe gjykata ka folur me vendimmarrjen që t’i japë sa më shumë qetësi familjarëve që janë prekur nga kjo ngjarje e rendë.

Te ne prokuroria do të kërkonte “arrest me burg” dhe ka plot vendime të tilla të paktën në 20 vitet e fundit. Duhen parë të gjitha elementët e ngjarjes dhe autorit nëse ka penalitete të tjera apo rrezikshmëri. Janë një sërë elementësh që gjykata i vlerëson për marrjen e një mase të tillë. Ky është një vendim i drejtë dhe duhet marrë shembull edhe nga gjykatat shqiptare qe nuk marrin vendime të tilla. Ky është një mësim i mirë për të gjitha ata që kanë fatet e njerëzve në dore. Mesazhi është që drejtësia të funksionojë e paanshme, e drejtë dhe të jetë e guximshme”, tha Duraj.

Më herët është zbardhur edhe dëshmia e 50-vjeçarit, I cili tregoi në prokurori të gjithë ngjarjen nga fillimi, që kur u informua nga pronarja e banesës ku jetonte vajza e tij studente, se ajo nuk kishte paguar prej muajsh qiranë.

Në bisedën me vajzën, 18-vjeçarja i tregoi se paratë ia kishte marrë një person që e kishte abuzuar dhe përdhunuar seksualisht prej vitesh dhe tani e kërcënonte se nëse nuk ia jepte paratë do t’i bënte publike foto të papërshtatshme të saj.

50-vjeçari tregon se fillimisht e bija nuk i kishte treguar se për kë person bëhej fjalë, por më pas ishte ballafaquar me kunatin e tij.