LAJME / E Martë 3 Tetor 2023, 15:03

660 mijë turistë italianë deri në Gusht

Ministria e Turizmit: Janë rritur me 50%, renditen të dytët pas pushuesve nga Kosova

Numri i vizitorëve italianë veç Korrikut ka ardhur në rritje edhe gjatë muajt Gusht, duke u kthyer në grupin e dytë më të madh të turistëve që vizituan Shqipërinë me rreth 660 mijë.

Në raport me një vit më parë numri i turistëve italianë u rritën me 50 % për periudhën Janar-Gusht, duke përbërë kështu 9.1 përqind të totalit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Turizmit tregojnë se fqinjët përtej adriatikut kanë mposhtur çdo grup tjetër përveç Kosovës e cila vijon të jetë në krye të vizitorëve që vijnë në vendin tonë. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 40 % të totalit të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë deri në Gusht me një shifër prej 2.93 milionë ndërkohë që në raport me një vit më parë kemi një rritje me 17%.

Grupet që historikisht kanë ardhur pas shqiptarëve të Kosovës siç ishin Greqia apo Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që përbëhet nga emigrantët apo shqiptarët e trevave për këtë vit vijnë pas italianëve.

Në periudhën Janar-Gusht, 511 mijë vizitorë erdhën nga Maqedonia e Veriut, me një rritje 8% në raport me një vit më parë. Kurse nga Greqia rritja në 8 mujorin e 2023 është me 39%, dhe kanë hyrë rreth 450 mijë vizitorë. Grupe që kanë shënuar rritje të dukshme janë gjermanët, spanjollët, por edhe turistët nga Turqia. Në përqindje rritjen më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viit më parë e kanë shtetasit nga Finlanda, Norvegjia e Kina.

Të ardhurit nga Polonia të cilat janë grupi më i madh i turizmit të organizuar në Shqipëri në 8 muaj kanë një rritje me 27 % në raport me një vit më parë. Gjithsesi në raportin Gusht 2023 dhe Gusht 2022 ky grup ka shënuar rënie me 3% Operatorët turistikë presin që ky të jetë viti më i mirë historik i turizmit në vend. Sipas të dhënave të INSTAT numri i turistëve të huaj për muajin Gusht ishte mbi 2 milionë duke pësuar një rritje me 18.3% ,ndërsa për periudhën 8 mujore Janar-Gusht, numri i vizitorëve të huaj është 7.2 milionë duke pësuar një rritje me rreth 27%.

Janar – Gusht 2022         439,587

Janar -Gusht 2023          658,566

TURISTËT E HUAJ, JANAR-GUSHT 2023

Kosovë                                    2.93 milionë         

Itali                                             660 mijë

Maqedoni e veriut                      511 mijë

Greqi                                          450 mijë

Mal i zi                                       435 mijë

Gjermani                                    214 mijë

Angli                                          161 mijë

Turqi                                          135 mijë

Janar- Gusht 2022             131,459

Janar- Gusht 2023              167,025