
Të tronditur e të pikëlluar për krimin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm Roskovecin, familjarët e viktimës thonë se vrasja e Kosta Plakës që u vra nga ish-dhëndri i tij, ka qenë e paralajmëruar. Ndërsa shprehen të frikësuar se një tjetër vrasje mund të ndodhë.
Me lot në sy e një dhimbje që i shtrëngon zemrën, vëllai i viktimës, i cili ka qenë shumë pranë vendngjarjes, thotë se nuk kishte guximin për të shkuar e ndërhyrë mes konfliktit të tyre, pasi autori ishte i armatosur.
“Vetëm zhurmë dhe bërtisnin brenda. Nuk shkonim dot brenda se s’kishim armë. Ai bërtiste “hajdeni se do t’iu vras të gjithëve” thotë vëllai i viktimës.
Po ashtu, vëllai i 58-vjeçarit që u vra në orën 5 të mëngjesit të sotëm, zbulon se autori rezulton me precedent penalë të mëparshëm pasi ishte kapur me armë me brez. Ndërsa shton se shpesh i riu kërcënonte me jetë ish-partneren dhe familjen e saj, nëse e reja nuk pranojnë rikthim me të.
“Doli nga dritarja, e mori edhe çupën peng, iku. Vajza qëndronte këtu. Kishin probleme, tre herë është arrestuar dhe tre herë ka dalë. Ishte në Tiranë para disa muajsh me armë. Këtu ishte në arrest shtëpie. I thoshte vajzës “pa mua nuk e bën dot jetën, do t’i vras të gjithëve”. Ishte vrasje e paralajmëruar” shton më tej vëllai i Kosta Plakës.
Në lidhje me krimin e rëndë ka reaguar i prekur dhe nipi i viktimës, i cili në dëshminë e dhënë për mediat ka qëndruar në të njëjtën linjë si familjari i lartpërmendur.
“Nusja e xhaxhait është në spital, nuk e dimë si është gjendja. Ka rrëmbyer edhe çupën, është 24 vjeçe. Kanë ndodhur konflikte, kemi qenë në dijeni për shkak të vajzës. Kanë qenë të lidhur, janë ndarë dhe sot erdhi kjo situatë. Ai ka shkuar edhe në Tiranë dhe e ka kërcënuar vajzën. Policia e ka marrë disa herë, por e kanë nxjerrë”, deklaroi nipi i viktimës.
Të trembur nga krimi i sotëm, familjarët e viktimës shprehen të frikësuar se autori mund të shkaktojë një tjetër tragjedi për familjen Plaka, vrasjen e vajzës së tyre që e rrëmbeu mëngjesin e sotëm.
“I trembemi edhe një ngjarjeje tjetër, se nuk e dimë ku e ka çuar. Kanë bashkëjetuar disa vitesh, por kishin kohë që ishin ndarë. Ai ka kërcënuar disa herë vajzën edhe në Tiranë me pistoletë. Vajza është student për infermieri. Vajza ndihej e kërcënuar gjithmonë nga ai. Rozalina kishte urdhër mbrojtje. Ai qëndroi disa kohë në burg, pastaj doli dhe ka qenë në arrest shtëpie”, tha kunata e viktimës.
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin e tij me armë gjahu, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas është larguar nga vendngjarja së bashku me ish-bashkëshorten.
Sipas Policisë së Fierit, rreth orës 06:00, Refit Buzi dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj Kosta Plakës, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vend. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori është larguar me automjet duke marrë me vete edhe ish-bashkëshorten e tij, 24-vjeçaren Rozalina Plaka. Familjarët pretendojnë se ajo është marrë me forcë, ndërsa policia po heton rrethanat për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një rrëmbim.
Sipas dëshmisë së nipit të viktimës, ngjarja nuk ka qenë e papritur për familjen. Ai tha se autori kishte pasur konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëshorten pas ndarjes dhe e kishte kërcënuar disa herë.
“Rreth orës 05:00 dëgjova dy krisma. Dola në ballkon dhe pashë që zhurmat vinin nga shtëpia e xhaxhait. Kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Ai e kishte kërcënuar disa herë vajzën dhe ishte shoqëruar nga policia edhe më parë, por lirohej. Sot ndodhi më e keqja,” u shpreh ai.
Menjëherë pas sinjalizimit, Policia e Fierit ngriti pika kontrolli dhe nisi një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e 35-vjeçarit, i cili vijon të jetë në arrati. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të motiveve dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje të rëndë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
