
Të paktën 3 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi racor në qytetin Jacksonville, në Florida.
Një djalë i bardhë rreth të 20-tave i veshur me jelek antiplumb ka hyrë në një dyqan dhe më pas ka filluar të qëllojë me armë. Pas mbërritjes se policisë ai vrau edhe veten.
Në vendngjarje policia ka gjetur një pushkë të lehtë gjysmë automatike dhe një pistoletë. Në një prej armëve u gjet e vizatuar zvastika e Hitlerit, çka ngre dyshime se ai ishte një mbështetës i këtij grupimi.
Autoritetet amerikane besojnë se autori ka vepruar i vetëm. Mësohet se vrasësi përpara se të kryente këtë krim të rëndë ka lënë disa mesazhe ku shpreheshin qëllimet e tij.
Autori i dërgoi babait të tij një mesazh me tekst duke i thënë që të kontrollonte kompjuterin e tij. Pasi familja u informua për qëllimet e të riut është lajmëruar menjëherë policia por fatkeqësisht të shtënat kishin filluar tashmë.
Në vitin 2016 autori ishte përfshirë në një incident të dhunës në familje dhe madje ishte dërguar pa vullnetin e tij në një spital psikiatrik.
