U publikua loja më e pritur, 35 mijë nxënës braktisin mësimin brenda ditës: Detajet

Nga Class• 23 November 2026

U publikua loja më e pritur, 35 mijë nxënës braktisin

Pritja e gjatë për videolojën GTA 6 duket se ka marrë vëmendjen e një brezi të tërë,

 aq sa pasojat janë ndier edhe në shkolla dhe ambiente pune në Britaninë e Madhe.

Të enjten, më 19 nëntor, ditën kur ishte planifikuar lançimi i shumëpritur i lojës,

rreth 35 mijë nxënës të shkollave të mesme rezultuan të munguar në mësim.

Shifrat kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që ky publikim mund të ketë pasur në angazhimet e përditshme të të rinjve.

Të dhënat e analizuara nga 1,415 institucione arsimore, me një total prej më shumë se 1.3 milionë nxënësish, tregojnë se frekuentimi atë ditë zbriti në 88.8%. Në ditët e tjera të së njëjtës javë, mesatarja ishte 91.3%.

Rënia më e theksuar u vu re te djemtë që ndodhen në vitin e fundit të shkollës së mesme. Për këtë kategori, mungesat u rritën nga 8.9% në 13.8%.

Por entuziazmi për GTA 6 nuk duket se është kufizuar vetëm te adoleshentët. Edhe kompanitë britanike kanë vënë re një rritje të pazakontë të mungesave në punë.

BrightHR, një kompani që merret me shërbimet e burimeve njerëzore, raportoi se mungesat e punonjësve të regjistruara si probleme shëndetësore ishin rritur me 56% krahasuar me të enjten e javës së kaluar.

Sigurisht, këto statistika nuk konfirmojnë se nxënësit apo punonjësit kanë munguar pikërisht për të luajtur videolojën.

Megjithatë, përputhja e datës me publikimin e shumëpritur ka mjaftuar për të ndezur diskutime dhe batuta në rrjetet sociale.

Pas 13 vitesh pritjeje që nga pjesa e fundit kryesore e serisë, GTA 6 duket se ka krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke treguar se popullariteti i saj mund të ndikojë edhe në rutinën e përditshme.