Mblodhi 190 mijë euro duke u shtirur me leukemi, i riu përfundon në burg: Detajet nga skandali

Nga Class• 23 November 2026

Mblodhi 190 mijë euro duke u shtirur me leukemi, i riu përfundon

Një fushatë për mbledhjen e donacioneve në Kosovë është vënë në qendër të një hetimi për mashtrim.

Endrit Azemi dyshohet se ka grumbulluar afro 190 mijë euro nga qytetarët,

duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe kishte nevojë për trajtim mjekësor.

Gjykata Themelore në Gjilan ka miratuar kërkesën e prokurorisë,

duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas akuzës, Azemi dyshohet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026 ka kërkuar ndihmë financiare përmes një historie të sajuar për gjendjen e tij shëndetësore.

Fushata u zhvillua përmes platformës “GoFundMe”, ku iu bëhej thirrje qytetarëve në Kosovë dhe bashkatdhetarëve në diasporë të kontribuonin për trajtimin e tij.

Mbledhja e donacioneve u shtri edhe në sheshin e Gjilanit, ku familjarë dhe persona të tjerë kërkonin ndihmë drejtpërdrejt nga qytetarët.

Motra e tij kishte publikuar gjithashtu apele për mbështetje financiare.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, verifikimet e kryera treguan se i dyshuari nuk vuante nga leukemia akute, sëmundja për të cilën kërkonte donacione.

Pas informacioneve të para, prokuroria dhe policia nisën veprimet hetimore dhe bllokuan fondet në llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit.

Azemi u arrestua më 21 nëntor, rreth orës 22:00, pasi ishte shpallur në kërkim policor.

Fillimisht, me vendim të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërsa më pas gjykata caktoi paraburgimin njëmujor.

Rasti po hetohet për veprën penale të mashtrimit dhe pretendimet ndaj tij mbeten për t’u shqyrtuar në procesin gjyqësor.