“Tërmet” në PS me largime, Hoxha paralajmëron zhvillime të reja, çfarë po përgatit Edi Rama, ja emrat

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste po pritet me interesim të madh politik,
ndërsa vlon diskutimi për ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar.
Në një analizë pa dorashka, gazetari Poli Hoxha zbërthen prapaskenat e këtij aksioni politik,
duke i cilësuar lëvizjet e pritshme të Edi Ramës si një “shfaqje propagandistike”
që nuk ndryshon asgjë nga substanca e krizës politike në vend.
Sipas analizës së tij në “Top News”, Rama pritet të sakrifikojë disa emra ministrash, ku Hoxha përmend Toni Gogun dhe Mirela Kumbaron që po qarkullojnë në media. Hoxha thotë se plani i kryeministrit është për të krijuar idenë e një restarti, por trysnia e protestave popullore dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve kanë krijuar tashmë një realitet të ri politik ku lojërat me kabinetin nuk pinë më ujë.
Pjesë nga analiza
“Edi Rama tashmë ka më shumë problem me të vetët. Ajo është një asamble për t’u grushtbashkuar atje, për të qëndruar, por ai grushti i bashkuar nuk ka asnjë pikë vlere, qoftë edhe duke hedhur (prerë) koka apo rikthyer. Kemi një faktor shumë të rëndësishëm edhe për pushtetin, edhe për gjithë klasën politike dhe për opozitën. Kemi tashmë një qendër rëndese që është protesta, dhe jo thjesht protesta si protestë fizike në shesh, por gjendja mendore që ka krijuar protesta, gjendja, fryma dhe emancipimi politik që ka krijuar protesta. Tashmë nuk ka njeri… sado ta duash Ramën, sado ta duash Berishën, sado të mos e duash, sado të jesh socialist, sado të jesh demokrat, sado të jesh shtresë gri, nuk ka rëndësi. Të gjithë tashmë bëhen dakord, ca me zë e ca me veten e tyre, që rregullat e lojës këtu duhen kthyer në rregulla të drejta loje. Duhen rregulluar rregullat e lojës së votës, rregullat e lojës së përfaqësimit. Nuk ka më tani hedhje hiri syve, sepse do të goditen edhe sikur t’i bëjnë zgjedhjet si të duan, do të goditen nga një bojkot masiv e të tjerë.
Dhe Edi Rama, e dimë, ndërkombëtarët po ia lënë mbi tavolinë rekomandimet dhe s’bëhet fjalë vetëm “ndërhyri shteti, s’ndërhyri shteti”, rekomandimet e Venecias e kishe në raport patjetër me një reformë të thellë zgjedhore. Dhe unë mendoj që Edi Rama tashmë do të fillojë, pasi ka bërë si budalla gjashtë muaj…edhe studentët kur dolën në ballë, nuk thonë “të ikë Mirela Kumbaro” – keni parë ndonjë kërkesë që të ikë Kumbaro? Se e dinë shumë mirë që nuk është Mirela Kumbaro problemi. Nuk thonë “të ikë Toni Gogu”, por “të ikë Edi Rama”, thonë që të krijohet një qeveri teknike të bëjë këto rregullat e lojës dhe futuni pastaj në garë ju dhe merreni e fitoni në qoftë se ju do populli. Dhe kaq e thjeshtë është e gjithë historia. Dhe unë mendoj që në asamble e nuhata diçka dhe nga informacionet që kam, edhe nga fjala e Taulant Ballës që tha “do të shikoni surpriza.
Unë mendoj që e filluan, pasi në mënyrë të papritur, rimblodhën komisionin për reformën zgjedhore që ka të dy bashkëkryetarët që katranosën 2024-ën, që e bën akoma më keq, dhe do të fillojë të hedhë për herë të parë – dhe është i detyruar edhe nga presioni i opinionit ndërkombëtar (shiko mediat ndërkombëtare çfarë shkruajnë) – do të fillojë të lëshojë. Lëshime mashtruese, për shembull, besoj do të lëshojë që “jemi gati për kodin e ri zgjedhor kështu-kështu, të ulemi ta bisedojmë në tavolinë me Partinë Demokratike, jemi gati ta bëjmë parlamentin…”. Po kemi thënë me 100 e ca… Në fakt, unë s’kam besim fare, prapë e shikoj si një mashtrim. Ne e dimë shumë mirë që këta do ta bëjnë se këta kanë parlamentin.
Ne e dimë shumë mirë që këta do ta votojnë siç votuan edhe reformën në drejtësi apo siç Ramiz Alia lejoi pluralizmin. Por kjo duhet të bëhet tamam dhe duhet bërë nga ekspertë të pavarur dhe nga një qeveri njëvjeçare, mor s’duhen shumë, edhe gjashtëmujore, i bën këto shpejt e shpejt. Këta vetëm të tregojnë gatishmërinë dhe reflektimin, por edhe nga detyrimi të ngrenë dorën dhe ta hapin fushën e lojës, dhe pastaj le të futen edhe të hedhin valle, le të fitojnë e le ta gëzojnë pushtetin, por jo me zare me hile. E kam thënë 100 herë: jo me zare me hile që ju bien, jo më parlament pa përfaqësim! Ke nenin 2 të Kushtetutës. Si mundesh ti?
Prapë e thua edhe për këshillat bashkiake. Si mundesh ti kur neni 2 i Kushtetutës thotë: sovraniteti i popullit ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të vet që janë në parlament dhe në Këshillin Bashkiak? Nuk i zgjedhin Taulantët! Nuk mund t’i zgjedhësh ti, do t’i zgjedhin ata. Dhe prapë ti s’ke as të dytën drejtpërdrejt, dhe referendumet nuk jua lënë. Ore, s’ju lënë as referendumet! Populli s’ka asgjë në dorë nga çfarë jep Kushtetuta, dhe këta kanë bërë ligje të këtij lloji që e kanë nxjerrë popullin fare jashtë. Deri dje e kanë mësuar popullin që “po ia dhe partisë, ti je i përfaqësuar”. Jo mor vëlla, jo, nuk jam!”, thotë ndër të tjera gazetari.



