Skandali me pensionet në Postën Shqiptare, auditi ngre dyshime për një gropë financiare prej 3.6 miliardë lekësh

Nga Class• 19 November 2026

Skandali me pensionet në Postën Shqiptare, auditi ngre dyshime

Mungesa e 700 milionë lekëve në fondet e pensionistëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës

mund të jetë vetëm një pjesë e një problemi shumë më të madh financiar brenda institucionit.

Një auditim financiar i fundit ka ngritur dyshime për një hendek që arrin në 3.6 miliardë lekë,

duke zgjeruar pikëpyetjet mbi mënyrën e administrimit dhe kontrollit të fondeve në Postën Shqiptare.

Sipas raportimeve, në këtë vlerë përfshihen edhe mungesa të lidhura me pagesat e Hipotekës. Çështja është referuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila pritet të hetojë rrethanat dhe përgjegjësitë për parregullsitë e konstatuara.

Problemet financiare në institucion nuk janë evidentuar vetëm së fundmi. Që prej korrikut 2026, kontrollet kishin zbuluar parregullsi të rënda në filialin e Durrësit, të cilat çuan në shkarkimin e drejtoreshës dhe në depozitimin e kallëzimeve penale.

Megjithatë, të dhënat e fundit të auditimit ngrenë dyshime se problematika mund të shtrihet përtej rastit të 700 milionë lekëve të pensionistëve në Durrës.

Hetimi pritet të hedhë dritë mbi destinacionin e fondeve që rezultojnë të munguara, por edhe mbi mënyrën se si janë administruar dhe kontrolluar ato. Në këtë kuadër, mbeten për t’u sqaruar përgjegjësitë e personave që kishin në ngarkim menaxhimin financiar, firmosjen dhe verifikimin e bilanceve.

SPAK do të duhet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për parregullsi administrative apo për veprime penale dhe kush mban përgjegjësi për mungesën e shumave të dyshuara.