I shkëlqyer në fushë me 18 gola për Liverpool-in e ri të trajnerit Slot, në këtë pjesë të parë të sezonit, Mohamed Salah është kritikuar nga disa ndjekës të tij në ditën e Krishtlindjes. Arsyeja? Postimi i një fotoje në rrjetet sociale pranë pemës së Krishtlindjes, në shoqërinë e gruas dhe vajzave të tij.
Salah, që është me besim islam, hasi në pakënaqësinë e shumë prej mbështetësve të tij myslimanë, të cilët e konsideruan foton të papërshtatshme. "Ne myslimanët të admirojmë dhe ti duhet të na respektosh", – ishte një nga komentet që përmblidhte protestat e tyre, duke nënvizuar se është e rrallë që ata që praktikojnë fenë islame të festojnë Krishtlindjen.
"Më ke zhgënjyer", – ishte një tjetër koment i përsëritur nën postimin e ish-lojtarit të Fiorentinës dhe Romës, i cili në rrjetin X (ish-Twitter) arriti mbi 110 mijë ripostime.
Ndërkohë, vazhdojnë spekulimet për rinovimin e tij me Liverpool-in. Pas deklaratave të tij polemizuese disa javë më parë, ku tha "nuk kam marrë oferta", duket se situata ka filluar të ndryshojë. Një zgjatje e kontratës deri në vitin 2027 me "Reds" është një opsion krejt i mundshëm.