Më 7 qershor, në mes të një atmosfere që vlon nga emocionet, tensionet dhe pritshmëritë, Shqipëria përballet me Serbinë në Arenën Kombëtare, një duel që tejkalon fushën e blertë dhe zë vend në zemrat e çdo sportdashësi shqiptar.
Por këtë herë, përballja s’është thjesht një ndeshje. Është një çështje krenarie.
Dhe këtë e tregon më së miri interesi marramendës për bileta: mbi 200 mijë kërkesa për vetëm 22 mijë vende në stadium.
Një rekord që flet vetë, shqiptarët nuk duan të humbasin asnjë sekondë nga ky spektakël i zjarrtë.
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, sqaroi se sistemi i biletave këtë herë funksionon me prenotim dhe short elektronik të rastësishëm. Të gjithë aplikantët janë në garë me fatin.
“Deri më 30 maj, qytetarët mund të përfundojnë prenotimin. Më pas, një sistem i automatizuar do të zgjedhë fituesit. E rëndësishme është që bileta duhet të përputhet me ID-në personale, përndryshe nuk ka hyrje në stadium,” theksoi Shulku.
Por ndërsa sportdashësit përgatiten për festën, autoritetet përgatiten për sigurinë. Ndeshja është cilësuar me rrezik të lartë, dhe policia ka hartuar një plan të detajuar me rrethe sigurie shumë të forta përreth stadiumit.
“Komunikimet me Policinë e Shtetit janë të vazhdueshme. Masa të rrepta do të zbatohen që nga hyrja e parë deri te tribunat, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes,” shtoi Shulku.
Sa i përket aspektit sportiv, ngarkesa emocionale është e madhe, por skuadra kuqezi është e përgatitur.
“Ngarkesa është e natyrshme në një përballje të tillë, por lojtarët tanë luajnë në nivelet më të larta të futbollit europian. Jemi të bindur që kemi shanset reale për fitore,” përfundoi Shulku.
Pas dy ndeshjeve të para në Grupin K të kualifikueseve për Botërorin 2026, një humbje me Anglinë dhe një fitore ndaj Andorrës, Shqipëria është aktualisht në vendin e dytë, ndërsa Serbia debuton pikërisht ndaj kuqezinjve më 7 qershor, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE