SHËNDET / E Mërkurë 29 Shtator 2021, 16:04

Drejtësia në zi/ Sëmundja e rëndë i merr jetën parakohe gjyqtarit të parë shqiptar në Strasburg, ish-kreu i KQZ-së prek me dedikimin e tij: Humbje e madhe! Kur fliste ai të tjerët heshtnin!

Ish-kreu i KQZ-së, Denar Biba ka shprehur ngushëllimet e tija të sinqerta për ndarjen nga jeta të konstitucionalistit Kristaq Traja, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

. Biba, mik i tij e ish-student e cilësoi atë mendja më e bukur që i ka ardhur Shqipërisë në fushën e së drejtës.

“Është një mik shumë i dashur, një mik në mënyrën e tij si vetëm Traja dinte të ishte. Pedagog i imi. Një nga ata që na bënë mua dhe të tjerë të dashuroheshim me të drejtën kushtetuese. E drejta për Trajën ishte si muzikë. Është mendja më e bukur që i ka ardhur Shqipërisë në fushën e së drejtës.

Ju thatë që ka qenë një nga personat në prapaskenë të Kushtetutës. Ai mund të ketë qenë shkruesi real. Gjyqtari ynë i parë në Gjykatën e Strasburgut. Ka vendosur disa piketa dhe në të drejtën europiane të konventës europiane të të drejtave të njeriut”, tha Biba.

Ai shtoi më tej se shteti shqiptar mund ta kishte përdorur logjikën dhe arsyetimin e tij, por se kur kandidoi për Gjykatën Kushtetuese u refuzua.

“Është një humbje e madhe. Shqipëria mund dhe i kishte të gjitha mundësitë, shteti shqiptar i kishte të gjitha mundësitë ta kishte evidentuar dhe ta kishte përdorur logjikën, arsyetimin, dijet e z. Traja edhe më mirë nga ç’i përdori. Zoti Traja megjithëse ka qenë gjyqtari i parë në Strasburg, pak kohë më pas kur i mbaroi mandati ai kandidoi edhe për Gjykatën Kushtetuese, por politika për arsye banale e refuzoi kandidimin e tij. Ai do ta meritonte atë detyrë më shumë se kushdo tjetër. më vjen keq që la pak me shkrim. Të gjithë ata që rinin pranë tij, heshtnin kur ai fliste”, tha Biba.

Ai rrëfeu më tej dhe bisedën e fundit me konstitucionalistin.

“Kristaqi u kthye edhe për shkak të sëmundjes pranë familjes së tij në Strasburg dhe atje po kurohej. Për herë të fundit kam komunikuar më 19 gusht me rastin e ditëlindjes. Kishte vendosur të kthehej. E kaloi jetën, veçanërisht vitet e fundit, midis Francës e Shqipërisë. Një mendje shumë e bukur që do të na mungojë. Kur e pyeta si je, më tha mirë shkurt dhe nuk e zgjata më shumë. Ishte filozof i së drejtës. Shteti shqiptar i ka shpërdoruar njerëz si Traja”, deklaroi Biba.