Rama në Kuvend: Opozita, hapëse gropash. Historia do flasë për ne si ndërtues të Shqipërisë europiane

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027,
ku ka vënë theksin te rritja ekonomike si kusht për realizimin e politikave sociale
dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se nga 1 janari do të hiqet taksa e qarkullimit,
ndërsa theksoi se mbështetja për pensionistët, familjet e reja dhe ulja e taksave mbeten objektiva të qeverisë.
Ai u shpreh se këto zotime nuk mund të mbështeten vetëm te dëshira, por kërkojnë të ardhura të qëndrueshme në buxhetin e shtetit, të cilat, sipas tij, sigurohen përmes zhvillimit ekonomik, sipërmarrjes dhe rritjes së të ardhurave pa shtuar barrën tatimore mbi qytetarët.
“Këto nuk janë çështje dëshirash, dëshirën për të ulur taksat e ushqimeve bazë e kemi pasur qysh në krye të herës. Uljen e barrës së karburantit e kemi pasur qysh në krye të herës. Nuk do të kemi më që nga 1 janari taksën e qarkullimit. Dëshirën për të mbështetur pensionet, për familjet e reja që ta ndërtojnë jetën këtu e kemi pasur qysh në krye të herës.
Nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, apo që bëjnë një qeveri më të mirë. Është ekonomia që mbush arkën e shtetit, që shton rrugën e qeverisë. Ndryshimi i asaj që do të bësh dhe asaj që je në gjendje të bësh është dallimi i premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që duan të përmbushen.
Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, nuk bën gjë tjetër veçse u hap gropën që vjen më pas. Ata që nuk janë këtu sot (opozita), në historinë e vendit do të mbeten si hapësit e gropave. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë europiane. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë. Kemi zgjedhur rrugën e rritjes së të ardhurave pa i rënduar me taksa, duke besuar te zhvillimi, sipërmarrja dhe drejtësia e vendimeve tona”, tha kryeministri Edi Rama.



