Policia dhunon ashpër aktoren Alba Shtembari dhe partnerin e saj (Video)

Aktorja Alba Shtembari ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku zbulon se ajo,
partneri i saj dhe një e afërme janë dhunuar nga efektivë të Policisë gjatë protestës në Tiranë.
Shtembari tregoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, në qendër të Tiranës,
pranë zonës së UFO-s, ku sipas saj po qëndronin në mënyrë paqësore dhe po ndiqnin protestën nga larg.
“Sot në orën 20:20, në qendër të Tiranës, te UFO, po qëndroja paqësisht unë, partneri im dhe një e afërmja jonë, duke ndjekur së largu protestën. Nuk po bënim asnjë gjë të jashtëligjshme”, u shpreh ajo.
Aktorja tha se automjete të Policisë po lëviznin drejt zonës më të tensionuar të protestës, por sipas saj ndaluan pranë vendit ku ndodhej grupi i tyre. Ajo tregon se efektivët u janë afruar pa paralajmërim dhe më pas i kanë ndjekur me shkopinj gome.
“Kur zbritën nuk po dukeshin si policë, por si një tufë gangsterësh të veshur me uniformën e Shqiponjave dhe pa asnjë komunikim na u sulën me gjithë fuqinë që kishin. Na kanë përndjekur me shkopinj gome”, tha Shtembari.
Sipas rrëfimit të saj, partneri u godit në pjesën e pasme të kokës pasi ndaloi për ta mbrojtur atë gjatë largimit.
“Mbaj mend që po përplasesha me njerëzit e tjerë në tentativë për të shpëtuar dhe partneri im, që ndali vrapin për të më ruajtur mua, u godit me shkop gome mbrapa koke nga një efektiv i Shqiponjave, me gjithë forcën e krahut. Edhe e afërmja jonë u godit”, deklaroi ajo.
Shtembari tha gjithashtu se synon ta denoncojë “policinë në Polici”, ndonëse u shpreh skeptike për rezultatin e kallëzimit dhe kritikoi institucionet, të cilat i cilësoi të korruptuara.



