Paratë nga shitja e shtëpisë apo trashëgimia, do të garantohen në banka deri në 15 milionë lekë

Qytetarët që depozitojnë në bankë paratë nga shitja e një banese apo
nga trashëgimia mund të përfitojnë mbrojtje të posaçme deri në 15 milionë lekë,
nëse banka nuk mund t’ua kthejë fondet.
Këtë parashikon projektligji i ri për sigurimin e depozitave.
Mbulimi do të përfshijë edhe shumat nga përfitimet sociale që lidhen me martesën, divorcin, pensionin, pushimin nga puna apo paaftësinë, si dhe përfitimet nga sigurimet dhe dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale.
Për të përfituar, fondet duhet të jenë kredituar ose të jenë bërë ligjërisht të transferueshme gjatë gjashtë muajve përpara ngjarjes që aktivizon kompensimin. Depozituesi duhet të paraqesë kërkesën dhe dokumentet justifikuese brenda tre muajve nga kjo ngjarje.
Kjo mbrojtje e posaçme propozohet të zbatohet nga 1 korriku 2027 dhe trajtohet veçmas mbulimit të zakonshëm të kursimeve.
Nga e njëjta datë, projektligji parashikon rritjen e kufirit të përgjithshëm të sigurimit të depozitave bankare nga 2.5 në 6 milionë lekë. Për llogaritjen e këtij kufiri bashkohen të gjitha llogaritë dhe depozitat që një klient ka në të njëjtën bankë, përfshirë interesat.
Në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbulimi parashikohet të rritet në kundërvlerën në lekë të 100 mijë eurove për depozitues në një bankë.
Projekti shkurton edhe pritjen për kompensimin e kursimeve të siguruara, nga afati aktual deri në tre muaj në 14 ditë pune. Afati nis nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për likuidimin e detyruar të bankës ose për padisponueshmërinë e depozitave.
Për shumat me mbulim të posaçëm deri në 15 milionë lekë, pagesa parashikohet brenda 30 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit të plotë. Ndërsa afati i përgjithshëm i kompensimit do të ulet në shtatë ditë pune me anëtarësimin në BE. /skyweb.al



