NJOFTIM ZYRTAR/ SHBA miraton shitjen e raketave HIMARS për Shqipërinë, paketa kap vlerën e 210 milionë dollarëve

Shqipëria pritet të pajiset me sistemet amerikane të raketave HIMARS, pas miratimit nga
Departamenti Amerikan i Shtetit të një shitjeje të mundshme ushtarake,
me vlerë rreth 210 milionë dollarë.
Sipas njoftimit zyrtar të DASH, paketa përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS,
gjashtë raketa të drejtuara GMLRS të tipit M31A2 dhe gjashtë pod-e me koka luftarake
alternative M30A2. Në listën e pajisjeve janë edhe sisteme komunikimi, mjete ushtarake, pajisje për kontrollin e zjarrit, pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera mbështetëse.
Blerja do të financohet përmes një kredie nga programi amerikan i financimit ushtarak të huaj (Foreign Military Financing).
Në dokumentin e publikuar, Departamenti Amerikan i Shtetit argumenton se kjo shitje do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, duke i mundësuar vendit një aftësi goditëse me precizion dhe rreze të gjatë veprimi.
Sipas DASH, sistemet HIMARS do t’i japin Shqipërisë mundësinë të parandalojë, neutralizojë dhe shkatërrojë kërcënimet e mundshme, si dhe të rrisë kontributin e saj në planet mbrojtëse të NATO-s.
Kontraktori kryesor për këtë marrëveshje do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin. Për zbatimin e programit parashikohet edhe udhëtimi në Shqipëri, rreth dy herë në vit, i deri në 15 përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kompanisë, për menaxhimin e programit, instalimin e pajisjeve dhe trajnimin e personelit.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se shitja e propozuar nuk do të ndryshojë balancën ushtarake në rajon dhe nuk do të ketë ndikim negativ në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së.



