Njëri humbi babanë dhe nipin, tjetri vëllanë / Historia si në filma, si nisi "L*FTA" mes Ben Qimes dhe Sel Çamit

Nga Class• 23 November 2026

Njëri humbi babanë dhe nipin, tjetri vëllanë / Historia si

Fieri u trondit mëngjesin e sotëm, nga një atentat mafioz, ku u vra Selami Hasani,

dhe mbeti i plagosur në gjendje të rëndë, nipi i tij Jakupi. Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e familjes,

 ku viktima duket se qëndronte i sigurtë, pak javë pasi kishte dalë nga burgu,

ku kishte vuajtur një dënim me 25 vite burg, për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2002 në Fier.

Selami Hasani, tashmë në të 60-tat e tij, në vitin 2002, së bashku me shtetasin Pëllumb Yzeiri, lanë të vrarë dy persona, Julian Isufajn dhe Esat Taren. Për ngjarjen e rëndë, Hasani u vu në pranga rreth 7 vite më vonë, në vitin 2009, dhe vuajti një dënim me 25 vite burg, që duket se ka përfunduar më herët për çështje burokratike.

Vrasja e kësaj të henë, rikthen në skenë hakmarrjet e përgjakshme të bandave në qytetin e Fierit, ndërkohë që viktima kishte një hasmëri të deklaruar me familjen Isufaj. Viktima, Julian Isufaj, i vrarë në vitin 2002, është nipi i një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit në Fier, Arben Isufaj, i njohur ndryshe dhe si Ben Qimja. Selami Selami i njohur dhe me nofkën Sel Çami dhe Ben Qimja, fillimisht kanë qenë në raporte miqësore mes tyre, dhe më pas ka nisur një seri hakmarrjes që kanë prodhuar disa viktima.

Edhe paraditen e kësaj të hëne, menjëherë pas ekzekutimit në banesën e familjes Hasani, Policia ka kryer ‘kontrollet’ rutinë në banesën e Arben Isufajt, por pa mundur që të shkohet nga aty në gjurmët e autorëve.

Konflikti mes dy familjeve ka nisur që në fillim ’90. Në atë periudhë, Arben Isufaj, ende i ri, kishte krijuar shoqëri me persona të afërt me Selami Hasanin. Por marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan pas një përplasjeje të ndodhur në vitin 1994.

Vrasja e parë, ajo e babait të Ben Qimes

Sipas asaj që është raportuar më herët, në lajmet e kronikës së zezë, në fillim të vitit 1994, Arben Isufaj u përfshi në një konflikt me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemrin Yzeiri, të cilët konsideroheshin të afërt me Sel Çamin.

Përplasja u përshkallëzua dhe në konflikt ndërhyri edhe Enver Isufaj, babai i Arbenit, i cili tentoi të zgjidhte mosmarrëveshjen. Por pak kohë më vonë, Enver Isufaj u vra në një bilardo pranë banesës së tij, në zonën e Sheqit në Fier. Kjo ngjarje shënoi edhe kthesën vendimtare në marrëdhëniet mes dy familjeve.

Pas vrasjes së të atit, Arben Isufaj u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite jashtë vendit, për t’u rikthyer në Fier në fund të viteve ’90. Në hetimet e mëvonshme për këtë konflikt u ngritën dyshime se në vrasjen e Enver Isufajt kishin marrë pjesë Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit, dhe Pëllumb Yzeiri. Megjithatë, kjo ngjarje nuk u zbardh përfundimisht dhe pretendimet nuk duhet të ngatërrohen me përgjegjësi penale të provuar.

Vritet vëllai i Sel Çamit

Zinxhiri i ngjarjeve të përgjakshme vijoi edhe në vitet pasuese. Në vitin 1998, Vladimir Hasani u vra në qendër të Fierit, ndërsa në vitin 2001, Pajtim Yzeiri u vra në Spanjë. Të dyja ngjarjet dyshohet të jenë të lidhura në zinxhirin e hasmërive mes familjeve.

Atentati me dy viktima dhe dy të plagosur në vitin 2002 në qendër të Fierit

Episodi më i rëndë ishte ai që ndodhi në 25 mars 2002, në qendër të Fierit, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës”. Një shkëmbim zjarri përfundoi me dy viktima: Julian Isufajn, nipin e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambistin Esat Tare. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit. Në këtë ngjarje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Për këtë krim, Selami Hasani u dënua me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje.

Hasani u arrestua në 2009, u ekzekutua sot

Pas ngjarjes së vitit 2002, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për shtatë vite në arrati. Më 12 gusht 2009, ai u arrestua nga forcat speciale RENEA gjatë një operacioni në Fier, të koduar “Parukieri”. Gjatë ndërhyrjes, policia i sekuestroi edhe dy pistoleta. Ndërkohë që menjëherë pas lirimit të tij nga burgu, ndaj Hasanit u krye këtë të hënë një prej atentateve më të organizuar të këtyre viteve të fundit, duke e vrarë pikërisht në vendin ku do të duhej të ishte më i sigurt, në banesën e tij./SHEKULLI