“Një sekret del në dritë”, astrologia bën parashikimin e Horoskopit për javë e ardhshme: Hëna e Plotë sjell lajmin e shumëpritur për këtë shenjë

Astrologia Esmeralda Petrela ka prezantuan parashikimin astrologjik për javën e ardhshme,
në emisionin “Mes’dritë”, me moderatore Alma Çelaj.
Sipas astrologes, fundjava nis me Hënën në shenjën e Dashit, duke sjellë energji të fortë,
guxim, dëshirë për aktivitet fizik dhe mënyra të reja për të shijuar kohën e lirë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është Hëna e Plotë e së martës, pranë Uranit, planetit të surprizave, e cila sipas Petrelës mund të sjellë përmbyllje të rëndësishme dhe zhvillime të papritura për të gjitha shenjat. Ndërkohë, Marsi kalon nga Luani te Virgjëresha, duke zhvendosur energjinë dhe vullnetin drejt detajeve, organizimit dhe rutinës së përditshme.
Një tjetër ndryshim është kalimi i Diellit nga Akrepi në Shigjetar, që shënon nisjen e sezonit të kësaj shenje. Kjo periudhë konsiderohet veçanërisht e favorshme për shenjat e zjarrit, Dashin, Luanin dhe Shigjetarin, si dhe për shenjat e ajrit, Binjakët, Peshoren dhe Ujorin.
Parashikimi për 12 shenjat e zodiakut
Dashi – Për të lindurit e kësaj shenje, java sjell vendosmëri në çështjet e zemrës. Ata që kanë fëmijë do të marrin më shumë dashuri dhe afeksion, ndërsa do të ketë më pak kritika dhe kërkesa. Edhe në aspektin social, Dashët do të ndihen të vlerësuar, pasi njerëzit përreth do t’u afrohen për të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen. Deri të mërkurën është momenti i duhur për të lëvizur, për të shëtitur dhe për t’u marrë me pasionet personale. Nga e enjtja e tutje, fokusi kalon te puna dhe rutina, ku do të kenë mundësi të përfundojnë detyrat e lëna pezull.
Demi – Për Demin pritet një periudhë pozitive në aspektin financiar dhe material, me mundësi për më shumë të ardhura dhe përmirësim të sigurisë ekonomike. Vëmendja do të përqendrohet edhe te shtëpia dhe familja, ndërsa pritet më shumë komunikim me njerëzit e afërt dhe ata që kanë lidhje me vendlindjen, veçanërisht për Demat që jetojnë në emigracion. Në dashuri, beqarët mund të njohin dikë që ka lidhje me origjinën ose rrënjët e tyre. Gjithashtu, do të gjejnë guximin për t’i shprehur interesin një personi që kanë për zemër.
Binjakët – Hëna e Plotë në shenjën e tyre sjell një moment kulmor në aspektin personal, me mundësi për ndryshime dhe transformime, përfshirë edhe pamjen e jashtme. Binjakët mund të finalizojnë me sukses kërkimet për një trajner, palestër apo kujdesin e duhur dermatologjik. Vendimet e guximshme që kanë marrë kohët e fundit, si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale, pritet të japin rezultat dhe të shpërblehen gjatë kësaj jave.
Gaforrja – Në fillim të javës, veçanërisht rreth së martës, një sekret mund të dalë në dritë. Gaforret do të tregojnë kujdes të shtuar ndaj shëndetit të njerëzve të afërt dhe mund të angazhohen për t’i ndihmuar me vizita mjekësore apo ilaçe. Kalimi i Marsit te Virgjëresha nis një periudhë rreth njëmujore, gjatë së cilës do të përqendrohen te rregullimi i shtëpisë, ambientit përreth dhe aktiviteteve që u pëlqejnë. Ndërkohë, hyrja e Diellit në Shigjetar do t’u sjellë dëshirën për të përfshirë elemente të reja dhe më stimuluese në rutinën e punës.
Luani – Një surprizë ose lajm i mirë mund të vijë nga miqtë, ndërsa disa informacione të marra prej tyre mund të rezultojnë të vlefshme edhe në aspektin profesional. Hyrja e Diellit në Shigjetar, një tjetër shenjë zjarri, do t’i bëjë Luanët të ndihen më të sigurt dhe më rehat me veten. Nga e diela e tutje, për rreth një muaj, do të kenë mundësi të takojnë njerëz të rinj, me të cilët do të ndihen në të njëjtën frekuencë dhe do të krijojnë lidhje të këndshme.
Virgjëresha – Për të lindurit e kësaj shenje nis një periudhë rikthimi të energjisë, pasi Marsi hyn në shenjën e tyre. Ky pozicion pritet të sjellë më shumë dinamizëm në karrierë dhe dëshirë për t’u kujdesur për veten dhe fizikun. Pas një periudhe më të vështirë dhe pasive, që ka zgjatur më shumë se një muaj, Virgjëreshat do ta kenë më të lehtë të veprojnë, të marrin iniciativa dhe të realizojnë planet e tyre të mëdha.
Peshorja – Afërdita në shenjën e tyre rrit hijeshinë, vetëbesimin dhe dëshirën për të shijuar të bukurën. Peshoret do të ndihen më mirë me veten dhe do të kenë një tërheqje të veçantë. Nga ana tjetër, Marsi te Virgjëresha do të forcojë intuitën, duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë ndjesitë e tyre të brendshme dhe të ndjekin këshillat e nënvetëdijes. Gjatë javës pritet edhe një gjumë më i qetë, ndërsa ëndrrat, sidomos nga e enjtja, mund të kenë domethënie të veçantë.
Akrepi – Një çështje që lidhet me një hua ose planifikim financiar pritet të marrë zgjidhje më të mirë nga sa kishin parashikuar. Nga e diela e tutje do të ndiejnë më pak presion dhe do të largohen nga tendenca për t’u krahasuar me të tjerët, duke u përqendruar më shumë te veprimet konkrete për të siguruar stabilitetin ekonomik. Akrepët do të jenë gjithashtu më optimistë dhe do të kenë dëshirë të investojnë te vetja, përmes veshjeve, përvojave më cilësore dhe gjërave që i bëjnë të ndihen mirë.
Shigjetari – Nis sezoni i tyre, duke sjellë më shumë vëmendje, ngrohtësi dhe vlerësim nga rrethi shoqëror dhe ai profesional. Shigjetarët pritet të përfshihen nga eprorët në plane dhe projekte të reja, ku do të marrin më shumë vlerësim për kontributin e tyre. Sipas parashikimit, ky vlerësim nuk është thjesht rezultat i fatit, por fryt i një pune të gjatë dhe përkushtimi që kanë treguar edhe në prapaskenë.
Bricjapi – Për Bricjapët pritet një shpërblim i rëndësishëm financiar, që do të ndikojë pozitivisht edhe në optimizmin e tyre. Kalimi i Marsit te Virgjëresha do t’u japë më shumë kurajë për të lëvizur, udhëtuar dhe për të ndarë energjinë pozitive me të tjerët. Nga ana tjetër, sezoni i Shigjetarit do t’i nxisë të reflektojnë mbi bindjet e tyre të thella dhe jetën shpirtërore, duke kërkuar një ekuilibër mes dëshirës për të eksploruar dhe nevojës për qetësi e reflektim.
Ujori – Kjo javë sjell më shumë optimizëm dhe ndjesinë se pas një periudhe të vështirë po shfaqet drita në fund të tunelit. Në aspektin sentimental mund të ketë flirte, njohje të reja ose persona që do të shprehin interes për ta. Vëmendje do t’i kushtohet edhe çështjeve shëndetësore që kanë kërkuar zgjidhje prej kohësh. Ndërkohë, pritet progres në zgjidhjen e huave dhe borxheve, si dhe mundësi për të realizuar disa nga dëshirat e tyre më të mëdha.
Peshqit – Hëna e Plotë në Binjakë, pranë Uranit, mund të sjellë një surprizë ose lajm të papritur pozitiv që lidhet me shtëpinë dhe familjen. Gjatë fundjavës, udhëtimet dhe lëvizjet do të ndikojnë pozitivisht në energjinë e tyre dhe në mënyrën se si perceptohen nga të tjerët, duke rritur tërheqjen personale. Me nisjen e sezonit të Shigjetarit, fokusi do të zhvendoset te karriera dhe ambiciet profesionale, duke krijuar mundësi për të gjetur një ekuilibër më të mirë mes jetës personale dhe asaj në punë.



