“Nëse do të më jepej edhe një jetë...”/ Këngëtarja e njohur feston 65-vjetorin, bashkëshorti i dedikon fjalët prekëse

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Shkurte Fejza, feston sot 65-vjetorin e saj të lindjes.
Përgjatë një karriere me dekada të tëra në skenë, artistja vazhdon të mbetet një prej emrave
më të vlerësuar, ndërsa kjo datë e lindjes nuk duket se do ta shkëpusë nga aktiviteti i saj muzikor.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, vëmendje ka marrë dedikimi i bashkëshortit të saj, Hajrushit,
i cili ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale. Përmes këtij shkrimi, ai ka kthyer vëmendjen te rrugëtimi i tyre i përbashkët, duke përmendur vitet e kaluara krah njëri-tjetrit, ëndrrat, vështirësitë dhe sakrificat, si dhe familjen e krijuar ndër vite.
Në mesazhin e tij, Hajrushi ka theksuar se Shkurte Fejza për të përfaqëson më shumë se sa artisten e duartrokitur nga publiku. Ai e ka përshkruar atë si gruan, bashkëshorten, nënën dhe gjyshen me të cilën ka ndarë jetën, duke shprehur edhe fjalët romantike: “Nëse do të më jepej edhe një jetë për ta jetuar, përsëri do të të zgjidhja ty!”.
Në mbyllje të urimit, ai i ka uruar këngëtares shëndet dhe vite të lumtura pranë familjes, fëmijëve, nipërve e mbesave, duke e përmbyllur dedikimin e tij me deklaratën: “Të dua sot, si dje, dhe përherë”.



