Nderron jete shqiptari, zbardhet identiteti i tij

Nga Class• 17 November 2026

Nderron jete shqiptari, zbardhet identiteti i tij

Një punëtor shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e kësaj të marte në Itali,

pasi është përplasur nga një automjet teksa ishte duke punuar

në një kantier ndërtimi në autostradën A18 Messina-Catania.

Viktima është identifikuar si Mehmeti Hashaim, 64 vjeç, me origjinë shqiptare.

Aksidenti i rëndë ndodhi pak pas orës 09:00, pranë daljes së Giardini Naxos, në zonën e viaduktit Alcantara, në drejtim të Katanias.

Sipas mediave italiane, shqiptari ishte duke punuar në një segment të autostradës të kufizuar dhe të sinjalizuar për ndërhyrje mirëmbajtjeje, ku po kryheshin punime për sistemimin e bordurave. Në këtë moment, një automjet i drejtuar nga një grua ka hyrë në zonën e kantierit dhe e ka përplasur rëndë punëtorin.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende nën hetim. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, drejtuesja e automjetit dyshohet se ka humbur kontrollin gjatë një manovre për të shmangur një tjetër automjet, drejtuesi i të cilit mund të ketë kryer një veprim të rrezikshëm në rrugë. Ky version po verifikohet nga autoritetet italiane.

Pas përplasjes, gruaja ka ndaluar menjëherë automjetin dhe ka dalë për t’i ardhur në ndihmë punëtorit. Megjithatë, ajo ka pësuar një gjendje të fikëti për shkak të tronditjes dhe është asistuar nga personeli mjekësor i urgjencës 118.

Edhe kolegët e shqiptarit dhe ekipet e emergjencës kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por për 64-vjeçarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Ai ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur efektivët e Policisë Rrugore italiane, të cilët po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.

Për shkak të aksidentit tragjik, autostrada A18 Messina-Catania është bllokuar, duke shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullim. Autoritetet u kanë rekomanduar drejtuesve të automjeteve që udhëtojnë drejt Katanias të dalin nga autostrada në kryqëzimin e Giardini Naxos, të vijojnë përmes rrugës shtetërore 114 dhe të rikthehen në autostradë në daljen e Fiumefreddo