Ndërhyri për të prishur telefonat e dëshmitarëve në dosjen "Veliaj", SPAK kërkon dënimin e Klotilda Bushkës: Ja sa rrezikon ish-deputetja

Nga Class• 10 November 2026

Ndërhyri për të prishur telefonat e dëshmitarëve

Prokuroria e Posaçme kërkon që ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka të dënohet

 me 400 mijë lekë të reja gjobë, ose 4 milionë lekë të vjetra, për ndërhyrjen

në telefonat e dëshmitarëve në gjyqin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

Më parë, ishte vendosur që ndaj saj të aplikohej dënim me gjobë 600 mijë lekë të reja,

por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e kërkuar është reduktuar në 400 mijë lekë.

Sot, në Gjykatën e Posaçme është mbajtur seanca përmbyllëse me të pandehurit dhe avokatët e tyre, të cilët kanë paraqitur kundërshtimet në lidhje me akuzat e Prokurorisë së Posaçme. Vendimi përfundimtar për Klotilda Bushkën dhe të pandehurit e tjerë do të shpallet më 25 Nëntor ora 15:30.

Kujtojmë se më 10 shkurt të 2025-ës Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka marrë nën hetim Klotilda Bushkën, si e përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt kryebashkiakut Erion Veliaj.

Klodilda Bushka akuzohet për konsumimin e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK ku pasqyroheshin të gjitha akuzat për Veliaj dhe personave të tjerë, deklarohej se ka të dhëna konkrete që Bushka ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat kanë interferuar në hetimet e SPAK.

Sipas prokurorëve të kësaj çështje, Altin Dumanit dhe Ols Dados deputetja socialiste kishte thirrur në zyrat e Avokatit të Popullit dëshmitaren Ina Goxhaj, të cilës iu mor telefoni dhe iu kërkua që të mos fliste lidhur me çështjen “Veliaj”.

Në fashikujt e kësaj dosje gjendet dhe dëshmia e ish-drejtoreshës së BYL-A, Ina Goxhaj e cila ka treguar takimet me Bushkën dhe Ajola Xoxën dhe se si këto dy të fundit i kanë asgjesuar telefonin dhe i kanë dhënë një tjetër telefon të llojit Iphone.

Madje, Bushka, Xoxa dhe avokati morën vendimin që Goxhaj (e cila në dosje thuhet se është kushërira e Klotilda Bushkës) të mos paraqitej në SPAK.

“Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjësonin”, thuhet ndër të tjera në dosje.