Mblodhi 10 mijë paund për protestën, kush është aktivisti me 77 mijë ndjekës në Instagram i proceduar nga Antiterrori

Antiterrori procedoi sot 17 persona për përhapje të lajmeve të rreme,
nxitje të dhunës dhe krime të tjera të dyshuara, lidhur me protestën studentore në Tiranë.
Mes tyre është edhe aktivisti Gent Progni, për të cilin policia thotë se
“ka ndërhyrë në jetën private” duke postuar fotografitë dhe emrat e efektivëve të policisë,
për të cilët ai pretendonte se ushtronin dhunë fizike dhe psikologjike ndaj protestuesve.
I proceduar për nxitje dhune është edhe avokati Altin Goxhaj.
Një emër tjetër i njohur është Arjan Koçi, i njohur si “Ari Shady” në profiling e tij në Instagram me 77 mijë ndjekës.
Koçi akuzohet se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Por një tjetër akuzë që policia pretendon ndaj tij është hapja e një fushate për mbledhjen e fondeve në GoFundMe, me pretendimin se i rrezikohej jeta. Koçi, deri në këto momente ka arritur të mbledhë mbi pak më shumë se 10 mijë paund, por në përshkrimin në faqe thotë se paratë janë mbështetje për protestën.

Po ashtu policia thotë se gjatë kontrollit të kryer, atij i është gjetur një bexh, me të cilin prezantohej si gazetar, në mënyrë që të shmangte kufizimet e policisë gjatë protestës.
“A. K., 34 vjeç, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në Instagram, ka bërë thirrje për kryerjen e veprime të dhunshme, gjatë protestave të javëve të fundit.
Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta, ka hapur një llogari në “GoFundMe”, për të mbledhur fonde.
Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një dokument (bexh) me të cilin prezantohej si gazetar, për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia. Dokumenti u sekuestrua me cilësinë e provës material”, ka njoftuar policia.



