LAJME / E Shtunë 11 Korrik 2026, 22:10

I gjetur i vrarë në automjetin e tij në rrugën Prekal–Kir, Aleksandër Koçeku ishte nën hetim për vrasjen e Pavlin Prekës.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme Shkodrën, ku një person është gjetur i vrarë me armë brenda në makinë e tij.

Raportohet se Aleksandër Koçeku është gjetur i pajetë brenda në makinën e tij i qëlluar me armë zjarri në aksin Prekal-Kir në zonën e Dukagjinit.

Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e një gjakmarrjeje. Në shkurt të vitit të kaluar mbeti i vrarë 20-vjeçari Pavlin Preka, i cili u gjet i vdekur brenda në makinë.

Për këtë ngjarje u arrestua Vasel Koçeku, i cili mendohet se është i afërm i Aleksandër Koçekut i cili u gjet i vrarë mbrëmjen e sotme.

Vrasja e Pavlin prekës erdhi pasi dyshohet se i riu kishte kërkuar disa herë të fejohej me vajzën e Vasel Koçekut, e cila ishte ende minorene, ndërsa vetë babai i vajzës kishet refuzuar disa herë.

Vrasja e Pavlin Prekës, si ndodhi ngjarja

Paulin Preka u gjet i vrarë në 20 shkurt të vitit 2025-së dhe dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, (në kohën kur ndodhi vrasja vajza ishte 16 vjeçe).

Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.

Megjithatë, sipas burimeve, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.

Familja Koçeku nuk e ka pranuar kurrë këtë kërkesë, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima.

Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Pas ngjarjes, xhaxhai i viktimës deklaroi publikisht se Pavlin Preka nuk kishte konflikte të njohura, duke theksuar se i riu jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.

Lidhur me ngjarjen u arrestuan Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisaj.

Njoftimi i policisë për ngjarjen e sotme

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. /T.Halili/ Vizionplus.tv, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE